Shqipëria ka sot të paktën 155 hidrocentrale në prodhim në të gjithë vendin. Në këtë total përfshihen sigurisht edhe hidrocentralet që janë pronë e shtetit, por pjesa dërmuese i përket hidrocentraleve të ndërtuar sipas kontratave koncesionare të formës BOT të më shumë se një dekadë më parë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se nga janari në prill janë të paktën pesë hidrocentrale të rinj që janë lidhur në sistemin e transmetimit apo atë të shpërndarjes duke e rritur numrin e HEC-ve të cilët në dhjetor të 2017 regjistronin një numër total prej 150.

Në sistemin e transmetimit u lidhën dy burime të reja siç ishin HEC Ceremica  dhe HEC Lumzi duke prodhuar respektivisht në katër muajt e parë të vitit  6058 MWh dhe 21 318 MWh. Në rrjetin e shpërndarjes nga ana tjetër u lidhën HEC Goricë me një prodhim 787 MWh, HEC Kabash 1 dhe 2 1050 MWh dhe i treti HEC Shpella Poshtë për të cilin shifra nuk bëhet e ditur.

Impiantet private me koncesion kanë arritur që të prodhojnë dhe të shesin tek Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike mbi 394 mijë MWh energji.  Situata e mirë hidrike e cila ka rezultuar në një nivel të lartë prodhimi edhe për kompaninë publike KESH është reflektuar tek të gjithë HEC-et në tërësi. Një vit më parë impiantet private me koncesion shitën tek OSHEE në total për 12 muaj rreth 12 për qind më shumë se 4 mujori i këtij viti.

Prodhimi neto vendas në fund të prillit ishte rreth 4.4 milionë MWh ndërkohe që konsumi ishte pak më shumë se gjysma e kësaj sasie që do të thotë që pjesa tjetër është eksportuar. KESH raportoi vetëm pak ditë më parë se të ardhurat nga shitja e energjisë në tregun e parregulluar kanë ardhur duke u rritur dhe në 6 mujorin e parë të vitit 2018 rezultojnë 48.8 Milion Euro më shumë se viti 2017 dhe 34.5 Milion Euro më shumë se mesatarja e 5 viteve të fundit.

Veritas.com.al/