( FOTO: Arkiv) 

Kryeministri Edi Rama komenton qëndrimin e opozitës parlamentare, e cila ka deklaruar votën kundër marrëveshjes së arritur mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare për reformën zgjedhore.

Ai tha se situata nuk është e qetë, ku ndonëse është dakordësuar një marrëveshje, duhet që ajo marrëveshje të mos lëviz.

“Sigurisht e vetmja kënaqësi që kam marrë nga ajo marrëveshje, është kënaqësia e Lulit, rëndësi ka që u kënaq Luli, se në thelb nuk reformon asgjë në sistem. Qëllimi ishte që të bashkoheshim të gjithë ne me gjithë botën, për të lehtësuar Lulzim Bashën dhe gjithë të tjerët pas tij nga frika e zgjedhjeve dhe për ti thënë “Si e do?” Ne e dimë që do kemi prapë llafe se ne prapë do fitojmë dhe ata do humbasin. Sigurisht që është një dakordësi që duhet të kalojë në parlament”, u shpreh Rama.

Ai tha se e ka ndjekur situatën, për të cilën shtoi se nuk duket të jetë fushë me lule, por se mazhoranca i qëndron marrëveshjes dhe dëshiron që ta votojë.

Në këtë drejtim shtoi se nëse ka hapësira të tjera për ti respektuar dhe dëgjuar dhe opozitarët në parlament, që në këtë rast votojnë një ligj që lidhet drejtpërdrejtë me statusin dhe veten e tyre, do të shikohet, do të dëgjohen dhe do të ketë sjellje konstruktive.

“Besoj se është e mirë që të gjithë ne të kalojmë në një stad tjetër maturimi, se nuk ka kuptim të mblidhemi për marrëveshje për të mbetur kështu siç jemi, nëpër ambasada. Të rrish tre ditë e netë atje, e të dalësh me marrëveshje, ‘ishim mirë ashtu siç ishim’, është pa kuptim. U bë mirë që u bë, e ndjej më të lehtësuar edhe mikun tim kryetarin e PD, e shoh më të angazhuar për aritmetikën ekonomike. Se doli që Partia Socialiste s’paska të drejtë të kërkojë asgjë, veçse të shpërndajë llokume, karamele dhe mish”, tha kreu i qeverisë.

Lidhur me deputetët e opozitës parlamentare deklaroi se, kur flitet për ta nuk duhet harruar ata janë deputetët e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhi.

“Kush i sheh si të shfaqur nga rrugë të tjera, thjesht harron historinë shumë të shkurtër. Nëse listat do ishin të hapura, ata deputetë që janë sot, do të votohej dhe brenda tyre, për shembull Gjuzi apo ngjala, ky apo ajo. Ne jemi këtu me përgjegjësinë për ta çuar përpara këtë proces. Votat nuk i kemi, duhet ti bëjmë dhe nuk duhet të luftojmë në sensin aritmetik, por për tu kuptuar”, tha në mbyllje Kryeministri.

VERITAS.COM.AL/