Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se është konfirmuar rasti i parë i Influencës Aviare i tipit H5N8 në një stabiliment në Durrës që mbarështon shpendë.

Gjurmimi i sëmundjes nga autoritetet ka nisur me një hetim të thelluar epidemiologjik menjëherë sapo Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë sinjalizimin e parë për ngordhje të pulave.

Ministria bën me dije se analizat e njëpasnjëshme, në kampione dhe në stabilimente të ndryshme, në të gjithë vendin, marrë gjatë kësaj periudhe konfirmonin sëmundjen e laringotrakeik, gjendur vetëm në dy stabilimente në Durrës.

Ndërsa vijoi gjurmimi dhe monitorimi prej sinjalizimit të parë për çdo ditë me testime, një kampion i marrë sot, datë 19 Mars 2022, analizuar nga laboratori i referencës së Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ka rezultuar pas analizimit me metodën molekulare të avancuar RT-PCR, me praninë e influencës aviare, H5N8.

Rasti është izoluar, ndërsa është vendosur karantinimi dhe janë marrë të gjitha masat për kufizimin e përhapjes së kësaj sëmundje duke përcaktuar perimetrin e zonës nga e cila ndalohet lëvizja e shpendëve, produkteve dhe nënprodukteve të tyre.

Ministria këshillon konsumatorët të mos bien pre e spekulantëve që mund të tregtojnë mish shpendësh pa certifikatë veterinare ose në kushte të papërshtatshme tregtie a magazinimi dhe të denoncojnë menjëherë në numrin jeshil pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit: 0800 7575.

Po ashtu, sugjerohet që ushqimet e mishit të shpendëve të llojit pulë të gatuhen në temperatura mbi 70°C dhe vezët po ashtu të jenë të mirëgatuara. Gatimi i plotë i mishit dhe vezëve siguron pamundësinë e virusit për prani në produkte të papërpunuara që hyjnë në zinxhirin ushqimor.

“Nuk ka prova epidemiologjike se ky virus mund të transmetohet tek njerëzit përmes ushqimit (shpendëve e vezëve). Virusi është i ndjeshëm ndaj nxehtësisë dhe dezinfektuesve po ashtu, prandaj praktikat e mira higjienike (dezinfektimi i sipërfaqeve) dhe higjiena personale (larja e duarve) ndihmon në kontrollin e rrezikut. Nëpërmjet Autoritetit Kombëtar të Ushqimit njoftojmë konsumatorët se ushqimet me origjinë shpendore në treg janë brenda standardeve të gjurmueshmërisë dhe janë të verifikuara nga inspektorët tanë, të cilët po rivërejnë në terren çdo subjekt tregtues, përpunues mishi shpendësh për një perputhje të plotë të gjurmueshmërisë”, thekson ministria.