Këshilli i FIFA-s i ka propozuar Kongresit të Përgjithshëm të 209 vendeve që pritet të mbahet pas dy ditësh në Meksikë, që të shqyrtojnë kërkesën për pranimin e Kosovës.

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se delegatët që janë pjesë e “qeverisë së futbollit botëror” po mbërrijnë pranë vendit në të cilin do të mbahet kongresi në datat 12 dhe 13 maj, raporton panoramasport.

Përveç çështjeve të korrupsionit dhe të reformave të reja në FIFA, pritet të shqyrtohet edhe kërkesa për pranimin e Kosovës dhe Gjibraltarit.

Shtypi i huaj shkruan se me shumë gjasa familja më e madhe e futbollit do ta pranojë Kosovën si anëtaren më të re.

Nëse kjo do të realizohet, atëherë përfaqësueses së Kosovës i lind e drejta që të marrë pjesë në botërorin e ardhshëm.

Shqyrtimi i pranimit në FIFA vjen pak ditë pas vendimit që UEFA mori për ta njohur Kosovën si anëtare të saj.