Në Konventën Kombëtare të Partisë së Lirisë janë miratuar ndryshimet statutore. Pjesë e tyre është Referendumi që mbahet nëse e kërkojnë 5000 anëtarë. Surprizë nuk është emri i kryetarit të Partisë së Lirisë pasi përballë Ilir Metës nuk ka asnjë kandidat. Para se të niste mbledhja, Meta u shpreh se tregon besimin e anëtarëve të Partisë së Lirisë për lidershipin e tij dhe theksoi se nuk bëjnë garë fiktive.

Më 25 korrik, vetëm një ditë pasi la postin e kreut të shtetit, Ilir Meta u rikthye sërish në jetën aktive politike, duke rimarrë drejtimin e partisë së tij LSI-së. Meta mbajti konventë kombëtare të LSI-së ku u vendos që partia të mbajë emrin Partia e Lirisë. Që në nisje të eventit u ndryshuan 2 nene në statut ku LSI i dha të drejtë vetes që të ndryshojë emrin, vulën dhe simbolet e partisë. Kjo i hapi rrugën ndryshimit të emrit të partisë së krijuar në vitin 2004 nga Ilir Meta.

Partia e Lirisë drejtohet nga një Komitet Organizator, me në krye Ilir Metën. Ndërkohë ka nisur procesi i votimit të kryetarit të Partisë së Lirisë që do të ngjisin zyrtarisht ish presidentin në krye të saj. Ilir Meta mbajti fjalën e tij në Konventën Kombëtare të Partisë së Lirisë duke paraqitur modelin ekonomik që mbështetet tek nxitja e prodhimit, tek eksportet, tek ekonomia e dijes, tek liria dhe klima miqësore ndaj biznesit, rritja e pagave çdo vit, tek ulja e barrës fiskale dhe formalizimi i ekonomisë,  tek kualifikimi i burimeve njerëzore për paga të jetueshme, tek garantimi i të ardhurave jetike për shtresat në nevojë.