Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit i ka sekuestruar mjekut Edvin Prifti dy llogari bankare me respektivisht 51.479.368 milionë Lekë dhe 177.497 Euro. Në njoftimin e dhënë nga SPAK bëhet me dije se sekuestrimi i pasurisë së mjekut vjen si pasojë e hetimit të kryer pas dhënies së masës së “Pezullimit të ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, pas daljes së përgjimeve të dosjes së Gjykatës së Krujës, ku mjeku kishte rënë rastisht. Në bazë të hetimit u ngritën dyshime se mjeku kishte ngritur një skemë të shmangies së tatimeve përmes paraqitjes së faturave tatimore fallto në bizneset e tij.

Njoftimi i plotë i SPAK: Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryen hetime në kuadër të procedimit penal nr.102/2 të vitit 2020, në ngarkim të të hetuarit E. P. (aktualisht nën masën e sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale), i dyshuar për kryerjen e veprave të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” (më shumë se një rast) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 259 dhe 287 të Kodit Penal.

Policia Gjyqësore pranë Policisë së Shtetit ka kryer një hetim të thelluar financiar dhe pasuror të shtetasit E.P. dhe subjekteve tregëtare të krijuar prej tij (Persona Fizik). Falë një hetimi intensiv u grumbulluan prova që krijojnë dyshime se nga ana e të hetuarit është ngritur një skemë e mirëfilltë kriminale që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore fallco me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve. Gjithashtu nga verifikimi i llogarive bankare të shtetasit E.P. apo personave fizik të regjistruar në emër të tij është konstatuar se ky shtetas kryente depozitime Cash në llogari bankare të hapura në banka të ndryshme të nivelit të dytë.

Nisur nga sa më sipër, duke qenë se ekziston dyshimi që shumat e parave të depozituara në bankë, në Cash, nga ana e të hetuarit E. P. (në llogarinë personale apo të PF të krijuar prej tij) janë produkte të veprës penale Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar Gjykatës vendosjen e sekuestros preventive.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.150 datë 11.05.2021, ndërmjet të tjerave ka vendosur:

Vendosjen e sekuestros preventive mbi llogaritë bankare (llogari rrjedhëse, depozitë pa/me afat apo investime në obligacione) në emër të shtetasit E. P. apo subjekteve tregëtare në pronësi të tij në shumat:
• Sekuestrimin e shumës 51.479.368 Lek.
• Sekuestrimin e shumës 177.497 Eur.