-Familjarët e turqve të deportuar kërkojnë drejtësi dhe azil në Kosovë-

Sevda Günakan nuk e ka parë babanë e saj, që nga koha kur është arrestuar dhe deportuar nga Kosova për në Turqi në fund të muajit mars.

Ai ishte arrestuar gabimisht nga Policia e Kosovës, ditën kur u arrestuan edhe pesë shtetasit tjerë turq të kërkuar nga autoritetet e Ankarasë.

Hasan Hüseyin Günakan në Turqi po akuzohet për terrorizëm, njësoj si edhe të arrestuarit e tjerë.

Vajza e tij, e cila vazhdon të qëndrojë në Kosovë, e quan skandal të madh arrestimin gabimisht të babait të saj.

“Ka qenë një skandal që janë deportuar ata atje, mirëpo ka qenë edhe një skandal i dytë më i madh kur babai im është marrë gabimisht për shkak të ngjashmërisë së emrit. Kemi dëgjuar se menjëherë pasi e kanë arrestuar e kanë kuptuar që është person tjetër. Mirëpo, kur këta i kanë pyetur autoritetet e Turqisë, ata kanë thënë se nuk ka lidhje, sepse edhe ky ka qenë punëtor i kësaj shkolle”, thotë Sevda Gunakan.

Emri i babait të saj, Hasan Hüseyin Günakan, ishte shumë i ngjashëm me personin që ishte në kërkim.

Hasan Hüseyin Demir ishte ai që do të duhej të arrestohej në vend të babait të saj.

Sevda Gunakan thotë se që nga arrestimi nuk ka komunikuar fare më me të atin dhe se ende nuk mund ta besojë atë që ka ndodhur.

“Ne kemi ardhur në vitin 2005 në Kosovë dhe që atëherë jemi duke punuar dhe vepruar këtu. Kemi ardhur këtu, sepse e kemi dashur Kosovën. Unë vetëm për studime kam shkuar në Turqi dhe jam kthyer përsëri këtu. Shumë e kemi dashur Kosovën, mos ta kishim dashur nuk do të jetonim qe 13 vjet këtu”, thotë Gunakan.

Familjarët që vazhdojnë të jenë në Kosovë, kanë frikë se një ditë edhe ata do të kërkohen nga Turqia.

Sipas tyre, e vetmja shpresë që të jetojnë të lirë në Kosovë, është pranimi i kërkesës për azil. Shumë prej tyre tashmë kanë kërkuar azil në Kosovë, thotë Kujtim Kastrati, jurist i Qendrës Arsimore Gylistan.

“Nga punonjësit tanë kemi informata të tilla që disa prej tyre kanë kërkuar azil për shkak të problemeve, në të cilat kanë hasur dhe në disa raste të ndjesisë së pasigurisë në Kosovë për shkak se azili inicion edhe institucionet ndërkombëtare në mbrojte të këtyre individëve. Janë Kombet e Bashkuara, të cilat kanë një mandat të tillë, ndaj personave që kërkojnë azil, por një qytetar i thjeshtë, i cili qëndron me leje qëndrimi dhe pune nuk e ka një mbrojtje të tillë”, thotë Kastrati.

Të njëjtën ka bërë edhe Sanije Özkan, e cila pas arrestimit të burrit të saj, jeton vetëm me vajzën.

“Ditën e dytë pas ngjarjes që ka ndodhur kam kërkuar diçka nga Qeveria e Kosovës. Kam kërkuar që tani e tutje, as për mua e as për të gjithë kolegët që jemi këtu në Kosovë, të mos përsëritet ky rast dhe të na ofrojnë sigurinë jetësore këtu në Kosovë”, thotë Sanije Özkan.

Jasemine Karabina, gruaja e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të shkollës “Mehmet Akif”, tashmë i arrestuar, Yusuf Karabina, thotë se burri i saj dhe të arrestuarit e tjerë janë keqtrajtuar gjatë arrestimit.

“Në bazë të informatave që na ka dërguar përmes avokatit, burri ka thënë se në momentin që kur kanë hipur në aeroplan, ua kanë lidhur duart dhe këmbët, ua kanë mbyllur veshët dhe në kokën ua kanë mbuluar me thasë. Kur kanë shkuar në Turqi, nga Prokuroria janë akuzuar për menaxhim të organizatës terroriste”, tregon Jasemine Karabina.

Ajo beson se burri i saj është i pafajshëm dhe shpreson se do të kthehet sërish në Kosovë.

“Edhe nëse ndodh që largohemi nga Kosova, unë përsëri do të kthehesha nëse do të duhet të zgjidhja, unë do të jem vullnetare për të shërbyer këtu. Njëjtë mendoj që edhe burri im do të bënte nëse lirohet. Jam e sigurt që do të lirohet, sepse drejtësia do të vijë dhe ai prapë do të kthehet në Kosovë, të takohet me shokët e tij këtu, që të pinë çaj së bashku”, thotë Jasemine Karabina.

Sipas avokatit Urim Vokshi, i cili është duke mbrojtur familjet e të deportuarve, ka bazë ligjore për kthimin e tyre në Kosovë, nëse për një gjë të tillë pajtohen Kosova dhe Turqia.

“Ne nuk mund të paragjykojmë nëse shteti i Kosovës do të arrijë t’i kthejë ata apo jo. Përderisa institucionet tona deklarojnë se kanë bashkëpunim të mirë me republikën turke, ne besojmë që edhe shteti turk do të duhet t’i kthejë dhe t’i respektojë edhe ligjet e Kosovës në kuptim të bashkëpunimit. Megjithatë, nëse kjo nuk ndodh atëherë vihet në pikëpyetje se a kemi bashkëpunim apo kemi nënshtrim ndaj një shteti tjetër”, thotë avokati Vokshi.

Familjarët e 6 shtetasve turq, që kanë kontakte vetëm me avokat në Turqi, thonë se nuk e kanë pritur që në Kosovë do t’u ndodhte diçka e tillë.

Bashkëshortja e drejtorit të shkollës “Mehmet Akif” në Gjakovë, Karaman Demirez, thotë se ka frikë se ajo që i ndodhi burrit të saj, mund t’i ndodh edhe asaj dhe djalit.

“Avokati deri më tani na ka njoftuar se burri ndodhet i vetëm në një qeli me një hapësirë shumë të vogël. Sipas avokatit, ushqimin e ka të rregullt. Burri im po e kalon kohën duke lexuar. Avokati, po ashtu, ka thënë se ai është mirë me shëndet, por nuk e di sa është e sigurt. Nuk kemi kërkuar ndihmë prej Qeverisë së Kosovës, e vetmja dëshirë apo kërkesë e jona, ka qenë ta ndiejmë veten të sigurt në Kosovë”, thotë Olcay Demirez.

Kurse, gruaja e Cihan Özkan, Sanije Özkan, thotë se nuk e kishin pritur që mund t’u ndodhte një ngjarje të tillë.

“Ende nuk mund të besoj. Nuk e di se si na ka ndodhur neve kjo. Mua dhe familjes time. Nuk kemi pritur kurrë të na ndodhë diçka e tillë dhe ende s’po mund të besoj që ne jemi duke përjetuar këto ditë të vështira. Duhet të kemi vetëm durim”, shprehet Sanije Özkan.

Juristi i Qendrës Arsimore Gylistan, Kujtim Kastrati, thotë se e gjithë kjo ngjarje është bërë për t’i plotësuar dëshirat e Turqisë.

“Kjo tregon edhe më tepër se çka është inskenuar në këtë rast. Është bërë diçka, në të cilën është dashur të shpërfaqet si deportim, por shteti nuk deporton persona gabimisht, në emër të personave të tjerë. Këtu duket qartë se është përmbushur një kërkesë e diktaturës turke të qeverisë atje”, thotë Kastrati.

Avokati Vokshi tregon se për arrestimet që ndodhën në Gjakovë dhe në Prishtinë në fund të marsit, janë duke përgatitur një padi kundër shtetit të Kosovës.

“Ne jemi duke përgatitur një padi, për shkeljen e të drejtave të njeriut që kanë ndodhur. Ato janë evidente, janë konstatuar edhe me raportin e Avokatit të Popullit. Kështu që faktikisht baza nuk është kontestuese do të mbetet të ndjekim procedurën dhe të shohim se gjykata në çfarë procedure dhe me çfarë shpejtësie do të vendosë lidhur me këtë rast”, thotë avokati Vokshi.

Pas dy ditë përpjekjesh nga Radio Evropa e Lirë, në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.

Të 6 shtetasit turq u arrestuan më 29 mars nga Policia e Kosovës. Ata u dërguan në Turqi përmes zonës VIP të Aeroportit të Prishtinës rreth orës 10:00 të mëngjesit.

Pesë prej shtetasve turq të dëbuar nga Kosova ishin punonjës të shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, e lidhur ngushtë me klerikun turk Fethullah Gylen, ndërkaq personi i gjashtë ishte një mjek turk.

Për Turqinë, lëvizja e Fetyllah Gylenit nuk është politike, por është “Organizata terroriste FETO”.

Turqia tash e një kohë të gjatë u është vënë pas mbështetësve të lëvizjes, rivalit kryesor të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Lëvizja e klerikut Gylen është edhe lëvizje politike, edhe korporatë biznesesh e fokusuar shumë në krijimin e institucioneve private të arsimit.

Lëvizja e Gylenit ka gjithsej 4 shkolla në gjithë Kosovën.

Një nga kërkesat e para të Turqisë për Kosovën pas puçit të dështuar ishte edhe mbyllja e këtyre shkollave të lëvizjes “Hizmet”. Kosova deri tash ka hezituart’i mbyllë ato.

Veritas.com.al/

Të frikësuar se mund ta kenë fatin e njëjtë, shumë familjarë të gjashtë turqve të deportuar, kanë kërkuar azil në Kosovë. Ata tashmë po përgatisin një padi ndaj shtetit të Kosovës.

Publiée par Jo në emrin tim sur samedi 12 mai 2018