(FOTO: Xhuljan Bullari, viktima, i vrarë në Babicë nga Bledar Selmanaj)/ 

Autori i vrasjës së Xhuljan Bullarit në Vlorë disa ditë më parë, është vënë në pranga. Policia konfirmoi këtë të Mërkurë arrestimin në zonën e “Bllokut” në Tiranë të 39-vjeçarit Bledar Selmanaj, banues në Vlorë, i dënuar disa herë më parë në fushën e krimeve kundër pronës.

Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

“Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në momentin e arrestimit, këtij shtetasi iu gjetën dhe iu sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë me 1 krehër me 10 fishekë, 1 aparat celular dhe një shumë parash. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Bledar Selmanaj, në lagjen ‘15 Tetori’, Vlorë, është gjetur e groposur në oborrin e banesës së tij, një armë zjarri pistoletë me një krehër me 9 fishekë, me të cilën dyshohet se 39-vjeçari ka kryer vrasjen. Po ashtu janë sekuestruar edhe disa veshje, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autori gjatë vrasjes, si dhe 1 aparat celular”, njoftoi policia.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se autori i dyshuar, Bledar Selmanaj kishte njohje të mëparshme me viktimën, të cilin dyshohet se e ka vrarë për motive të dobëta, me armë zjarri, mbrëmjen e datës 20 Gusht, shtuan të njëjtat burime.

“Nga ana e Policisë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, vijon puna për dokumentimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje”, thuhet më tej në njoftimin e policisë.

Operacioni për arrestimin e Bullarit u krye nga nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtoria Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pronës në Policinë e Shtetit.

Xhuljan Bullari u gjet i pajetë në një automjet tip “Fiat Punto” në fshatin Babicë e Madhe-Vlorë, mëngjesin e 21 Gushtit. Dyshohet se Selmanaj lëvizte në automjet bashkë me Bullarin, të cilin e ka ekzekutuar.