“Krerët e partive duhet të gjejnë marrëveshje vetë se si të përparojnë me demokracinë parlamentare. Nuk mund ta thotë Mbretëria e Bashkuar se ç’mënyrë duhet të zgjedhë çdo parti politike. Ne i nxisim që të respektojnë parimet e demokracisë dhe të përqendrohen te demokracia parlamentare”.

Kështu u shpreh ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King-Smith, në “Intervistë me Merita Haklaj” teksa u pyet për krizat politike në Shqipëri.

Ai theksoi se është me rëndësi të përqendrohemi te proceset politike dhe të shmanget dhuna e konflikti.

“Shpresojmë të mos kemi një krizë serioze politike në të ardhmen, sepse një nga gjërat më të mira që u arrit ka qenë rikthimi i parlamentit me të gjitha partitë brenda parlamentit, që kanë punuar për demokraci efektive parlamentare. S’është e lehtë të kesh demokraci parlamentare. Duhet kohë dhe përpjekje.

Duhet kohë që njerëzit të gjejnë kompromiset e nevojshme për të rënë dakord se si të kalojnë ligjet e nevojshme. Kemi çështje me rëndësi për mbarëvajtjen e reformës zgjedhore. Se si mund të përparohet me të tjera ligje. Duhet ta nxitim demokracinë parlamentare si parimin kryesor të zhvillimit. S’duam t’i shohim partitë sërish në rrugë duke përdorur mënyra jashtëparlamentare për të përparuar me qëllimet politike.

Mendojmë se është me rëndësi të përqendrohemi te proceset politike dhe të shmanget dhuna e konflikti, si dhe të gjenden zgjidhjet e mundshme me dialog. Është thelbësore, shumë me rëndësi për të ardhmen e Shqipërisë. Po të përparojë demokracia parlamentare, Shqipëria ka të ardhme të shkëlqyer.
Një nga gjërat që do të bëjmë, veç të tjerave që kemi bërë dhe që do të vazhdojmë, është mbështetja e zgjedhjeve dhe aspekteve të demokratizimit, duke mbështetur parlamentin dhe demokracinë parlamentare. Mendojmë se është e rëndësishme, diçka që tani i ka mundësitë për t’u riafirmuar”, tha ai. A2