Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushe. Me vendim të Këshillit të Ministrave, thuhet se Tushe ka kryer shkelje të rënda me postin e tij të kryetarit të Bashkisë Lushnje dhe për këtë ai shkarkohet nga detyra, vendim që hyn menjëherë në fuqi.

Ky vendim është marrë ditën e djeshme nga Këshilli i Ministrave, në po të njëjtën ditë kur Fatos Tushe u arrestua nga SPAK për shpërdorim detyre, ndërsa sot vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare. Pas arrestimi të Tushes, erdhi dhe reagimi nga kryeministri RAma, i cili tha se ai nga PS nuk do ketë asnjë mburojë dhe se duhet të përballet vetë me drejtësinë. Pas këtij reagimi, ka ardhur edhe vendimi për shkarkimin e Tushes nga kreu i Bashkisë së Lushnjës.

Fatos Tushe u arrestua një ditë më parë nga SPAK për shpërdorim detyre në lidhje me një tender abuziv me vlerë 24 mln lekë për rehabilitimin e kanalit ujitës. Kryebashkiakut Tushe i janë vënë pranga në zyrën e tij, ndërsa bashkë më të u arrestuan edhe 8 zyrtarë të bashkisë Lushnje dhe 2 biznesmenë. Në hetimet e SPAK janë përfshirë  përgjime dhe vëzhgime, kontrolle të financave dhe transaksione të zyrtarëve, nga ku rezultoi se zyrtarët lekët e tenderave i kalonin në kompani private në mënyrë fiktive. Tenderi 24 mln lekë për rehabilitimin e kanalit ujitës ishte fituar nga kompania Euro Alb SHPK, me pronar Bujar Muratin i cili po ashtu është arrestuar. Euro Alb shpk ka qenë kompania e vetme në garë dhe ky investim do të kryhej në fshatin Bitaj.