Qeveria e Edi Ramës është e etur të rekrutojë ish presidentin e Gjeorgjisë si këshilltar mbi reformat e tregut të lirë – por Saakashvili ka mohuar të ketë marrë ndonjë rol zyrtar në Tiranë.

Nga: Besar Likmeta BIRN Tirane, 24 korrij 2014

Edi Rama dhe Mikhel Saakashvili gjatë një takimi në Nju Jork

Burime nga qeveria e Shqipërisë i thanë Balkan Insight se ish-presidenti i Gjeorgjisë Mikheil Saakashvili, do t’i bashkohet numrit të madh të këshilltarëve të famshëm të qeverisë së Edi Ramës.

Saakashvili vizitoi Tiranën më 15 korrik me kërkesë të qeverisë së qendrës së majtë dhe zhvilloi takime me Kryeministrin Edi Rama, Zëvendëskryeministrin Niko Peleshi, ministren e zhvillimit urban, Eglantina Gjermeni dhe ministrin e pushtetit vendor Bledi Çuçi.

Ky qe takimi i dytë mes Ramës dhe Saakashvilit, që kur qeveria e udhëhequr nga socialistët mori pushtetin në shtatorin e kaluar në Tiranë.

Rama u takua me Saakashvilin më 27 shtator gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork ndërsa Saakashvili qe ende Presidenti i Gjeorgjisë kur të dyja palët shprehën interes për bashkëpunim.

Rama deklaroi gjatë atij takimi se Saakashvili qe një hero për gjeneratën e re të politikanëve në Shqipëri.

“Ajo që bëri ai për vendin e tij qe e jashtëzakonshme për shkak se ai dëshmoi se asgjë nuk është e pamundur nëse ke vizionin dhe kurajën për ta bërë,” tha Rama. “Ne jemi me fat për shkak se ne mund të mësojmë nga eksperienca e tij,” shtoi ai.

Saakashvili tha se Rama qe i interesuar në reformat e Gjeorgjisë në sektorin publik dhe polici dhe se Gjeorgjianët “janë të lumtur t’i japin atij ekspertë”.

Saakashvili njihet në Perëndim si një reformues karizmatik që luftoi mitëmarrjen, luftoi burokracinë dhe u përball me Rusinë në një luftë të shkurtër për rajonet separatiste të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë në vitin 2008.

Por kritikët në shtëpi e kanë akuzuar ish udhëheqësin gjeorgjian për tendenca autoritariste dhe për dështim në luftën kundër korrupsionit në nivel të latrë.

Pasi la postin në nëntor, Saakashvili është zhvendosur në SHBA si pedagog në Universitetin Tufts të Bostonit.

Autoritetet e Gjeorgjisë në mars kërkuan që ai të kthehet në shtëpi për t’u marrë në pyetje në lidhje me vdekjen e dyshimtë të ish-kryeministrit Zurab Zvania dhe kanë kërcënuar se do të lëshojnë urdhër arresti për të.

Saakashvili ka hedhur poshtë dyshimet duke e përshkruar hetimin si një gjueti shtrigash të orkestruar nga armiqtë e tij në Moskë.

Balkan Insight ka mësuar se një numër ish-zyrtarësh që kanë punuar në qeveirnë e Saakashvilit kanë vizituar Tiranën së fundmi për të këshilluar qeverinë.

Sipas gazetës gjeorgjiane Commersant, ish-ministri i ekonomisë së Gjeorgjisë Kakha Bendukidze, një nga arkitektët e reformave të tregut të lirë të Saakashvilit, vizitoi Tiranën të martën për të këshilluar kryeministrin Edi Rama.

Pyetur nga Balkan Insight, qeveria e Shqipërisë refuzoi të komentojë mbi angazhimin e mundshëm të Saakashvilit, ndërsa zëdhënësja e ish-presidentit të Gjeorgjisë mohoi që ky i fundit të ketë marrë ndonjë rol zyrtar në Tiranë.

“Ai dëshiron më të mirën për popullin shqiptar dhe për këtë vend të mrekullueshëm, ai mbështet kryeministrin Edi Rama por nuk ka asnjë pozicion formal në qeverinë [e Shqipërisë,” tha zëdhënësja Mary Kokaia.

“Dëshira e Presidentit Saakashvili është të ndihmojë në përmirësimin e Shqipërisë,” shtoi ajo.

Qeveria e Shqipërisë sakaq ka siguruar shërbimet e ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe Tony Blair dhe ish menaxherit të marrëdhënieve publike të tij, Alistair Campbell. Edhe ata kanë deklaruar se nuk kanë pozicion zyrtar dhe se po punojnë në mënyrë “informale”.

Mbetet e paqartë se si apo nëse këshilltarët e huaj të qeverisë shqiptare paguhen. Qeveria ka thënë vetëm se shërbimet e tyre vijnë “pa kosto” për popullin shqiptar.

I pyetur gjatë një intervistë të kohëve të fundit me gazetën popullore britanike Sun, Campbell deklaroi se puna e tij në Shqipëri po financohej nga një donator i paidentifikuar joqeveritar perëndimor.

Veritas.com.al/