(FOTO: Pamje nga demonstrata e 21 jnarit 2011)/

Kryeministri Edi Rama duket se ka zgjedhur një mënyrë ndryshe për t’iu përgjigjur protestës së Partisë Demokratike.

Jo vetëm gjatë ditës së djeshme, por edhe sot, Rama tha se në ndryshim nga qeveria e kaluar, sot mund të protestohet paqësisht dhe se askush nuk u prek një fije floku qytetarëve.

Konteksti i fjalisë së tij ka të bëjë me protestën e 21 Janarit 2011, ku 4 persona u vranë tragjikisht në bulevard, në protestën e thirrur nga opozita e asaj kohe, e drejtuar nga kryesocialisti Rama.

“Protesta na e bëri vetvetiu dallimin e madh me protestën e 6 viteve më parë kur protestuesit u vranë barbarisht edhe pse nuk bënë asgjë më shumë se qytetarët që u mblodhën dje në bulevard. Në një shtet normal është e drejtë elementare për opozitën që të protestojë paqësisht dhe të mos cënohet në asnjë fije floku pavarësisht retorikës politike,” tha Rama sot në “Komunikimin javor” në Facebook.

Mirëpo Kryeministri “harron” një detaj: 21 Janari nuk ishte protestë, dhe as nuk u anatemua si e tillë nga vetë lideri i opozitës në atë kohë, sot shefi i qeverisë.

Është tashmë e ditur nga çdo shqiptar, që demonstrata e dhunshme, e planifikuar dhe paralajmëruar nga vetë Kryeministri, vetëm paqësore nuk ishte.

Dhe këtu nuk bëhet fjalë për provokime politike, e as të policisë. Por bëhet fjalë për dhunën e pashembullt, që qytetarë të mirë-organizuar, me prezencën në “fushëbetejë” edhe të deputetëve socialistë, sot ministra, kishte vetëm një qëllim: kaos dhe dhunë për të rrëzuar qeverinë.

Për të saktësuar, është e papranueshme (dhe ende e pandëshkuar) vrasja e 4 qytetarëve në bulevard, mbi të gjitha jashtë ambientit rrethues të Kryeministrisë, të asaj zyre që shefi i qeverisë e di sot se është rreptësisht e ndaluar jo vetëm të dhunohet, por edhe të futesh e të pretendosh ta marrësh me forcë.

Për ndryshim nga 6 vite më parë, protesta e opozitës mund të ketë mangësitë e saj, duke nisur që nga picat e tallavaja, apo edhe tek mungesa e një kauze thelbësisht dhe tërësisht për qytetarët, por nuk ka të krahasuar me 21 Janarin.

Jo për meritë të qeverisë, por më tepër për meritë të vetë qytetarëve dhe pse jo edhe të opozitës, që nuk ka zgjedhur skenarë dhune. Këtu, mjafton të përmendim, faktin që protesta e opozitës kaloi pa asnjë incident. Madje gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme, lideri i opozitës Lulzim Basha takoi një më një efektivët e policisë në kordonin që garanton sigurinë e Kryeministrisë.

/ Express/Veritas.com.al/