As dy muaj nuk kanë kaluar që prej fitores së Emmanuel Macron në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Francë, por themelet e shumicës së tij në Asamblenë Kombëtare mund të tronditen prej rritjes së të majtëve.

Franca e vendos sot përfundimisht nëse Macron dhe partia e tij do ta ruajnë shumicën e përfaqësuesve ose jo.

Fitorja e tij e thellë ndaj Marine le Pen – jo aq sa ajo e vitit 2017 – nuk është parakusht për të menduar se ai mund ta marrë edhe shumicën në Asamble.

Politikani i ekstremit të majtë, Jean-Luc Melenchon, po drejton në këto votime aleancën mes të tijëve dhe të gjelbërve. Kjo dyshe politike e bashkërenduar në retorikën momentale, mundet t’ja marrë shumicën Macronit.

Madje, Melenchon, pasi doli i treti në raundin e parë të votimeve në Francë dhe pas fitores së Macron në raundin e dytë, e nisi menjëherë fushatën e tij, duke kërkuar vota për në Asamblenë franceze.

Në tërësi, 289 vende i duhen presidentit aktual për të marrë shumicën. Këtë gjë, mund të mos e lejojë Melenchon me aleancën e tij, të emërtuar Nupes (Unioni popullor i ri Ekologjik-Social).

Premtimi kryesor i këtyre të fundit, është ulja e çmimeve dhe në një kohë kur lufta në Ukrainë po jep efektet e saja në këtë aspekt, votuesit mundet fare mirë të orientohen për nga kjo qasje.

Në bazë të sondazheve paraprake, mendohet se Macron do ta ruajë një shumicë, me shifra që i japin atij midis 255 dhe 305 ulëseve, përballë 140-200 për Nupes.

Por, nëse ai nuk i merr 289 karrige asambleiste, atëherë do të duhet t’i drejtohet partive të tjera për të mbledhur vota e për të shtyrë reformat e menduara