Jashtë sallës së Kuvendit opozita që dorëzoi mandatet e deputetëve prezent, ndodhet në protestë. Ndërsa brenda sallës deputetë të rinj nga opozita betohen ‘në nderin e tyre dhe të Republikës’ se do të shërbejnë vullnetin e popullit.

Janë betuar në Kuvend dy deputetë të rinj të opozitës. Në nisje të seancës plenare, kryetari i parlamentit Gramoz Ruci lexoi rregulloren e Kuvendit ndërsa më pas u betuan deputetët Adriatik Alimadhi dhe Arben Elezi. Adriatik Alimadhi kreu i Ballit Kombëtar, ishte në listën e kandidatëve për deputetë të PD në qarkun e Vlorës në zgjedhjet parlamentare 2017. Alimadhi merr mandatin e Agron Shehaj, i cili iu bashkua vendimit ekstrem të opozitës së bashkuar.

Ndërkohë Arben Elezi i cili ishte në listën e kandidatëve për deputetë të PD ne qarkun Elbasan, merr mandatin e djegur të Edmond Spaho. Sakaq nga radhët e LSI, Ambra Borova, nuk ishte sot prezentë në seancë plenare, dhe pritet të betohet në seancën e ardhshme.

Pas betimit, deputeti më i ri i opozitës Arben Elezi tha se ‘mora mandat në një zonë problematike si Elbasani. Listat e mbyllura të kryetarëve nuk shprehin mendimin e qytetarëve. Do votoja për listat e hapura, apo edhe për sistemin mazhoritar” u shpreh Elezi.

Veritas.com.al/