Data 25 gusht është afati i fundit kur Kuvendi mund të miratojë të paktën ligjin e ashtuquajtur për “vettingun” e Reformës në Drejtësi. BE dhe SHBA e kanë vënë gushtin si muajin e fundit kur parlamenti, edhe pse është me pushime, duhet të mblidhet për ta kaluar këtë projektligj.

Gjatë periudhës deri më 25 Gusht, deputetët duhet të qëndrojnë në gatishmëri votimi, jo më deri më datën 11 korrik, siç edhe ishte lajmëruar

Burimet nga mazhoranca bëjnë me dije se e gjitha kjo ngjeshje afatesh e ka një arsye. BE dhe SHBA kanë vendosur të financojnë gjithë projektin për ngritjen e institucioneve të reja që për të realizuar procesin e Vettingut. Kreu i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, ka bërë me dije se BE dhe SHBA e kanë filluar projektin dhe janë duke bërë përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve evropianë dhe amerikanë që do të vijnë të asistojnë, po përgatisin infrastrukturën. Ndërkombëtarët do të financojnë edhe trajnimet që do të marrin, Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e posaçme Kundër Korrupsionit, Gjykata e Posaçme. Pikërisht për këto arsye, Shqipëria fillimisht duhet të ketë dhënë provën që ka nisur zbatimin e reformës.

 

Në shtator,  Shqipëria do të raportojë për ecurinë pranë Komisionit Europian. Në tetor, Komisioni Europian pritet të publikojë raportin e progresit të Shqipërisë dhe që të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit, ndaj vendi duhet të ketë dhënë prova se po e zbaton reformën në drejtësi, në mënyrë që në dhjetor vendet anëtare të BE-së të marrin një vendim pozitiv.

Neni 34 i projektligjit që lidhet me standardet e kontrollit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve pritet të jetë më i debatueshmi për shkak të kufizimeve të tij.