Në një njoftim të lëshuar për Mediat, Kuvendi i Shqipërisë bën me dije se sot çelet Sezoni i Ri i Vjeshtës i Kuvendit të Shqipërisë.

Në njoftim janë renditur edhe pikat e një kalendari vjeshtor që do të ndjekë Kuvendi. Janë gjashtë pika që përbejnë kalendarin: Hapja e sezonit, Miratimi i procesverbalit, Njoftim për projektligjet që janë gati të vijnë në Kuvend, Njoftim dhe Miratim i programit të Punës tre-javor; Diskutim për çështje jashtë rendit të ditës (një atavizëm i mbetur që nga mbledhjet e organizatave të Partisë Komuniste, ku shkruhej “të ndryshme”).

Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur se “sot mblidhet për të nisur sezonin e ri” të vjeshtës, ndërsa nuk ka psur “mbyllje” të punimeve verore. Kuvendi ka qenë i hapur dhe i gatshëm të mblidhet sa herë e thërrasin ambasadorët e BE dhe SHBA. Zonja Vlahutin e BE deklaroi se “sivjet nuk ka pushime për Kuvendin”. Edhe Komisionet e përhershme mbetën në punë gjatë gjithë periudhës, sidomos Komisioni i Ligjeve dhe Komisioni i posaçëm i Reformës në Drejtësi. Deputetët u njoftuan se mund të thërriten në çdo moment për të diskutuar dhe venduar mbi Reformën . Kuvendi u mblodh me 11 korrik dhe me 30 korrik ku u votuan nga maxhoranca ligjet për Vettingun.

Atëherë duket e pakuptueshme kjo që thuhet se “fillon sot sezoni i ri”, ndërsa nuk ka shkëputje nga sezoni i vjetër.

Ky është sezoni i fundit i këtij lloji në këtë Kuvend. Nuk do të ketë më sezon “vjeshtor”, sepse vjeshta e vitit që vjen nuk e gjen këtë Kuvend më këmbë. Vera e ardhshme është stina e zgjedhjeve Parlamentare dhe kjo përcakton fundin e këtij Kuvendi e ngritjen e një Kuvendi tjetër.

(Veritas.com.al)