Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi të dielën se lideri i arratisur i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, ka vdekur gjatë një aksioni të udhëhequr nga forcat speciale amerikane në Sirinë veriperëndimore, goditje kjo e rëndë për grupin xhihadist.

Baghdadi vrau veten gjatë aksionit duke e detonuar jelekun e tij vetëvrasës, tha Trumpi gjatë një konference për media nga Shtëpia e Bardhë, transmeton Koha.net.

Më poshtë ju sjellim reagimet pas këtij njoftimi:

Britani

Kryeministri Boris Johnson në Twitter:

“Vdekja e Baghdadit është një moment i rëndësishëm në luftën tonë kundër terrorizmit, por beteja kundër terrorit të Daesh-it (Shtetit Islamik) nuk ka përfunduar ende. Do të punojmë me partnerët tanë të koalicionit për t’i dhënë fund aktiviteteve vrastare dhe barbare të Daesh-it njëherë e përgjithmonë”.

Turqia

Ndihmësi i lartë i Presidentit Tayyip Erdogan, Fahrettin Altun, në një deklaratë për Reutersin:

“Turqia ishte krenare që i ndihmoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit tonë në NATO, për të sjellë një terrorist të tmerrshëm para drejtësisë… Sot i kujtojmë viktimat civile të Abu Bakr al-Baghdadit dhe heronjtë tanë ushtarakë, që humbën jetët e tyre për të mbrojtur botën nga terroristët e Daesh-it (Shtetit Islamik). Turqia do të vazhdojë të punojë për së afërmi me SHBA-në dhe të tjerët për të luftuar terrorizmin në të gjitha format dhe manifestimet e tij”.

“Është koha t’i bashkojmë forcat dhe të mposhtim të gjitha grupet terroriste që operojnë në rajon pa ndonjë vonesë”.

Izraeli

Deklaratë nga kryeministri Benjamin Netanyahu:

“Dua të përgëzoj Presidentin Trump për arritjen impresionuese që çoi në vrasjen e kreut të (Shtetit Islamik) al-Baghdadi. Kjo reflekton në përkushtimin tonë të përbashkët, të SHBA-së dhe të të gjitha vendeve të lira, për të luftuar organizatat terroriste dhe shtetet terroriste. Kjo arritje është një pikë e rëndësishme historike, por fushata është ende para nesh”.

Rusia

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë të dielën tha se nuk ka informacione të besueshme mbi operacionin amerikan që vrau liderin e Shtetit Islamik Abu Bakr al-Baghdadi, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve RIA pasi presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi vdekjen e tij.

“Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk ka informacione të besueshme mbi shërbyesit amerikanë që veprojnë në pjesën e kontrolluar nga Turqia në zonën e de-eskaluar të Idlibit edhe për një tjetër ‘eliminim’ të ish-liderit të ISIS-it Abu Bakr al-Baghdadi”, ka thënë Gjeneral-Majori Igor Konashenkov, i cituar nga RIA.

VERITAS.COM.AL/