Veritas.com.al/

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, LSI, që nga forumet e Partisë së tij paralajmëroi  publikun se mund të mos e votojë për herë të dytë “Ligjin e mbetjeve”. Ligji për importimin e mbetjeve, nga më të kontestueshmit mes ligjeve të kohëve të fundit, nuk është dekretuar nga Presidenti i republikës dhe pas kësaj do të kthehet për diskutim e për votim, për herë të dytë, në Kuvend.

Kryetari i Kuvendit, Meta, që nga mbledhja e forumeve të LSI ku ai kërkoi mandat tjetër për zgjedhjet në parti më 6 Nëntor, “çoi fjalë” si popullit edhe aleatit në qeverisje (PS e Ramës) se LSI mund të mos e votojë ligjin.

Paralajmërimi ishte shumë i qartë, sidomos duke njohur gjuhën “pa nerv” politike të Metës.

Ai “preku” tri kolona ku mund të mbështetet kundërshtimi i tij zyrtar ndaj ligjit për mbetjet.

E para,

Meta tha se “kemi kërkuar dialog të ngushtë me shoqërinë civile”, për këtë çështje.  Tashmë dihet protesta e aktivistëve të shoqërisë civile para zyrave të kryeministrit. Dialogu me ta do të thotë t’i dyshosh në kërkesat që kanë. Pastaj do të thotë se “do të bëhet sipas vullnetit” të shoqërisë civile. Këtë kërkesë e kishte edhe Presidenti i Republikës në arsyetimin për mos- dekretimin e ligjit.

E dyta,

Ilir Meta u mbështet te reagimi, që është bërë publik, i Këshillit të Europës, sipas të cilit “Shqipëri nuk ka legjislacion të aftë për t’u mbrojtur nga importimi i plehrave”. Meta e kapi “zogun që erdhi në dorë” për t’u mbështetur në Europë dhe kundër aleatit në qeveri, me të cilin ka shumë mosmarrëveshje. Meta tha se “duhet të presim ekspertizë nga BE”. Ai e di se ekspertiza e BE do të thotë “jo plehrave”. Në mbledhjen e forumit të LSI ai bëri pyetje retorike, si duket më shumë për t’u tallur me aleatin në qeveri (Rama i PS). “Si thoni, të mos e pranojmë ekspertizën e BE?. A e kemi pranuar BE? Atëherë, të mos pranojmë ekspertizën?..”, tha ai.

E treta,

Meta iu kthye konsensusit, për të cilin “vdes”. Tha se edhe në këtë rast duhet respektuar konsensusi.  Ai e di se ligji për plehrat u miratua përmes një minimumi votash, thuajse me arrogancë: vetëm 63 vota pro në një Kuvend me 140 deputetë.

Me sa duket Meta e ka zënë rrugën për të mos e votuar ligjin. Ky mund të jtë një moment tjetër i vështirë për qeverinë.

/Veritas.com.al/