“Bjellorusia nuk ka plane t’i bashkohet operacionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë”.

Kështu ka deklaruar presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, për agjencinë e lajmeve  Belta.

Ai mohoi gjithashtu pretendimet e Kievit se trupat ruse po sulmonin Ukrainën nga territori i Bjellorusisë.

Mediat botërore kanë raportuar se Bjellorusia – e cila ka vepruar si trampolinë për trupat ruse – po përgatitet të dërgojë ushtarët e saj në Ukrainë për të ndihmuar në pushtimin rus.

Prestigjiozja “Washington Post”, duke cituar një zyrtar amerikan të paidentifikuar, tha se Bjellorusia po përgatitej për një vendosje trupash që mund të fillonte që sot.

Ndërkohë, “Kyiv Independent” ka cituar burime të shumta duke thënë se parashutistët bjellorusë mund të vendosen sot.

Bjellorusia, një aleat i vjetër rus, kufizohet me Ukrainën në veri të saj.

Qeveria e saj autokratike votoi të dielën për të hequr dorë nga statusi jo-bërthamor – duke i hapur rrugën Rusisë që potencialisht të organizojë armë bërthamore atje.

Të dielën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se udhëheqësi Bjellorusisë Alexander Lukashenko, i ishte zotuar atij në një telefonatë se trupat bjelloruse nuk do të dërgoheshin në Ukrainë.

Lukashenko tha javën e kaluar se trupat bjelloruse mund t’i bashkohen pushtimit “nëse është e nevojshme”.