Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është shfaqur i revoltuar gjatë deklaratës për mediat në selinë blu pas pretendimit të djeshëm nga Partia Socialiste dhe ambasada amerikane se kryedemokrati ka bërë një “propozim të ri” për reformën në drejtësi.

Basha paraqiti me prova konkrete dhe video, deklaratën e tij të pak ditëve më parë, që konfirmonte të njëjtin qëndrim për formulën që duhet të zbatohet në KLGJ dhe KLP.

“Mashtrime të turpshme dhe të pacipa” i ka quajtur kryetari i Partisë Demokratike pretendimet e mbrëmshme se opozita ka ndryshuar qëndrim. Basha i kërkoi Edi Ramës që të votojnë draftin për të cilin dje u arrit konsensusi dhe u përshëndet nga të gjithë liderët europianë, përfshirë edhe Kancelaren Angela Merkel.

Ai shtoi se Partia Demokratike sot do të jetë në parlament për të votuar variantin e rënë dakord me konsensus dhe jo draftin e njëanshëm të PS të disa ditëve më parë që votoi e vetme pa opozitën në komisionin e posaçëm.

“Sot i bëj thirrje të gjitha palëve ta votojmë këtë marrëveshje. Për fat të keq kjo marrëveshje është vënë në dyshim.

E para, ka pasur mirëkuptim prej kohësh se për 4 institucionet do të aplikohej e njëjta formulë. Të hënën kjo marrëveshje është konfirmuar nga PS. Është pretenduar dje se Basha ka prezantuar kushte të reja pasi është prezantuar koj marrëveshje. Ky është një mashtrim i turpshëm. Ditën e hënë, PS i konfirmoi negociatorit tim se marrëveshja është për 4 institucionet.

Sot dua të bëj me dije se çdo mashtrim nga pala kundërshtare bie përtokë me këto dy prova. Ku është kushti i ri? Ku është kushti i ri? Mbrëmë në mesnatë në moment sinqeriteti Fatmir Xhafaj pranoi se drafti zyrtar i PS që ndodhet sot në Kuvend sipas procedurave zyrtare, nuk përfshin as rekomandimet Nuland as rekomandimet Hahn. PD kurrë nuk e ka pranuar këtë draft. Pjesa për KLGJ dhe KLP është formula e vjetër. Pse ndodh kjo?

Për ne, kemi një marrëveshje. I përmbahemi kësaj marrëveshje, jemi gati ta votojmë sot në Parlament. Pse do t’i anonçonim marrëveshjet Kancelares Angela Merkel etj. Pse do ta bënim këtë? Ka një marrëveshje dhe Edi Rama duhet ta zbatojë këtë marrëveshje. PD do të jetë sot në Parlament për këtë marrëveshje. I bëj thirrje të heqë dorë nga lojrat”, tha kreu i PD Lulzim Basha.