Franca është e gatshme të zhvillojë një takim me palën maqedonase dhe bullgare, për të arritur një marrëveshje dypalëshe për zgjidhjen e ngërçit të vetos së Bullgarisë për hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

Ky lajm është bërë i ditur nga pallati presidencial Elysee në një njoftim zyrtar duke zbardhur bisedën telefonike mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe me homologun e tij bullgar Rumen Radev.

Kujtojmë që Bullgaria, si vend anëtar i BE-së, ka përdorur veton kundrejt Maqedonisë së Veriut, duke bllokuar kështu çeljen e negociatave për këtë të fundit.

Vetoja e saj fillimisht ka konstatuar rreth gjuhës dhe identitetit maqedonas.

Konkretisht kushtet e Bullgarisë përfshijnë refuzimin e qartë të Republikës së Maqedonisë Veriore nga pretendimet territoriale, të pakicave dhe historike ndaj Bullgarisë.

Sakaq, ata kërkojnë ndryshimin e mbishkrimeve apo monumenteve që nxisin urrejtjen ndaj Bullgarisë në Republikën e Maqedonisë Veriore.

Autoritetet bullgare rendisin dhe aktivizimin e një procesi të rehabilitimit të viktimave të Jugosllavisë komuniste në kushtet e tyre.

Një tjetër kërkesë e Bullgarisë për palën e Maqedonisë së Veriut është njohja e të drejtave të pakicës bullgare dhe përfshirja e tyre në Kushtetutë.