Me zërin e veçantë, Lila do të rrëmbente çmimin e parë të Festivalit të këngës së lehtë në RTSH në vitin 1996. Në atë kohë, ajo përfaqësohej me këngën “Pyes Lotin”.

Pas fitores në skenën shqiptare, këngëtarja u ngjit edhe në skenën italiane. Në shtetin fqinj, ajo mori dy herë pjesë në festivalin e këngës italiane “Sanremo”.

Në vitin 2003, këndoi këngën “Valeria” dhe në vitin 2007 këngën “Il senso della vita” (Kuptimi i jetës).

Në vitin 2010, Elsa Lila do të sillte në jetë së bashku me partnerin e saj, zhytësin profesionist që e njohu në Madakaskar, Alessando, vajzën e tyre Evita.

Elsa Lila qëndroi aktive edhe në politikën shqiptare.

Në vitin 2010 do të futej në grevën e urisë, në mbështetje të Partisë Socialiste (PS) për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 2009-ës.

(Elsa Lila, pjesë e grevës të vitit 2010)

Gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013, kryetari i PS-së, opozitë në atë kohë, Edi Rama, do të postonte një fotografi në Facebook me mbishkrimin “me Elsën, yllin e pashuajtshëm që sot erdhi për të votuar Rilindjen”.

Artistët e tjerë të arrestuar për trafikim droge

Por, Elsa Lila nuk është personazhi i vetëm me famë në Shqipëri që arrestohet me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Me të njëjtën akuzë janë arrestuar edhe këngëtarja e njohur Liljana Kondakçi, aktori i ndjerë Koço Devole dhe aktori Viktor Zhusti.

(Liljana Kondakçi)

Liljana Kondakçi u arrestua në vitin 2010 në Selanik, Greqi pas një urdhërarresti ndërkombëtar. Kondakçiu bënte trafik droge, pasi u shpëtonte kontrolleve policore, duke shfrytëzuar reputacionin e saj si këngëtare. Problemet e para të saj me policinë ishin në vitet 2006, kur u ndal nga autoritetet italiane, teksa po transportonte 3 kilogramë heroinë. Ajo u lirua në vitin 2013 dhe u rikthye në Shqipëri.

(Aktori Viktor Zhusti)

Në vitet 1998, aktori i mirënjohur për publikun shqiptar, Viktor Zhusti, u arrestua në Greqi pasi u kap me 11 kilogramë kokainë.

Aktori i “Dhe vjen një ditë”, u dënua me 18 vite burg në shtetin grek.

Gjithashtu, aktori dhe komediani, Koço Devole, u arrestua duke transportuar drogë në shtetin italian. Autoritetet e gjetën drogën në valixhen e aktorit dhe ai u arrestua së bashku me tre shqiptarë të tjerë, të cilët dyshohen si trafikantë droge. Devole u kishte thënë autoriteteve italiane se nuk kishte lidhje me trafikantët, por ndodhej rastësisht në makinën e tyre.

Komediani qëndroi shtatë muaj e gjysmë në burg, përpara se të lirohej.