Një aksident i rëndë ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme në Shijak, ku fatmirësisht nuk ka pasur viktima. Një makinë që ecte me një shpejtësi skëterre ka humbur kontrollin dhe më pas është përplasur më shtyllën elektrike të betonit duke e thyer atë.

Report Tv ka siguruar video të aksidentit ku  pamjet shfaqin një makinë të ndarë në dysh dhe të mbetur një ‘grusht’ hekurash. Fatmirësisht nga ky aksident ka shpëtuar drejtuesi i saj, 37-vjeçari D.A., i cili ka marrë disa lëndime dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve jashtë rreziku për jetën. Shkak i këtij aksidenti ka qenë shpejtësia tepër e lartë duke bërë që 37-vjeçari të humbiste kontrollin.

Drejtuesit e mjeteve të papërgjegjshëm po kthehen gjithmonë e më shumë në problem  me shpejtësinë e lartë duke rrezikuar jetën e tyre dhe të qytetarëve të tjerë në rrugë. Edhe pse policia çdo ditë është në monitorim të rrugëve me radar e patrulla për të shmangur këto raste, sërish ka drejtues që e konsiderojnë veten e tyre ‘pilotë’ dhe rrugën ‘pistë garash’.