Ministre e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, bëri me dije se është arritur marrëveshja për trajtimin e të sëmurëve me Covid në vend me Remdesivir.

Në një konferencë për shtyp, Ministrja bëri me dije se terapia do të jetë falas në spital, ndërsa Remdesivir është një terapi që po përdoret edhe në Amerike dhe Europë.

“Jemi përgatitur me disa skenarë për përfshirjen e spitaleve rajonale. Nuk është që e kishim menduar më parë, por kjo situatë na ka mësuar shuam dhe ka rezultuar sukses fakti që e kemi përqendruar trajtimin e pacientëve, edhe për të fituar eksperiencën e nevojshme.

Sot ju garantoj se 100% e terapive janë si dhe ato që kanë vendet e tjera. Kemi siguruar edhe terapinë e Remdesivir që përdoret prej pak kohësh në vendet e Europës dhe në Amerikë dhe arritëm marrëveshjen për të siguruar falas për qytetarët që do të trajtohen në spitalet tona”, tha Ministrja.

Ministrja  e përshkroi ‘situatë të kontrolluar’, situatën në Shqipëri nga koronavirusi i ri.

“Rritje eksponenciale e infektimeve me koronavirusin e ri. Muaj më parë kemi ndërtuar të gjitha kapacitetet e nevojshme brenda mundësive tona mbi strategjinë, masat, planin që ne të përballemi me skenarët e mundshëm të kësaj epidemie.

Aktualisht situata në Shqipëri paraqitet një situatë e kontrolluar por me raste të rritjes së lehtë dhe që nga momenti i parë i rastit të parë ku masat e izolimit dhanë efekte pozitive dhe na krijuan ne premisat për t’u parapërgatitur për situatën që do të vinte më pas në gjithë botën dhe është rikthyer në Europë nuk po e shmangin dot përhapjen e virusit.

Virusi ka të njëjtën sjellje, virusi nuk ndryshon, ajo që ndryshon është përgjegjësia qytetare për të zbatuar masat me ato armë të njohura dhe të pranuara. Mbajtja e maskës, larja e duarve dhe distancimi social. Janë tre armët të cilat ne i njohim, i kemi të pranuara por për fat të keq jo të gjithë i zbatojnë. Është momenti për të vijuar të nxisim ndërgjegjen e qytetarëve.

Nëse duam të fitojmë betejat që nuk janë të vogla, beteja për rimëkëmbjen e ekonomisë, për rikthimin në normalitet, duhet të fitojmë betejën më të rëndësishme që është beteja me shëndetin.

Përgatitemi për rritjen e testimeve në gjithë strukturat e rëndësishme që kërkojmë të vijojmë aktivitetin, siç janë shkollat, biznesi, ndërmarrjet e mëdha. Tek shkollat ishte një sfidë e vërtetë”, deklaroi Manastirliu.

VERITAS.COM.AL