Protesta e opozitës së bashkuar ka pasuar me një vendim politik të Partisë Demokratike. Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi dje se do t’i propozojë grupit parlamentar dhe forumeve më të larta të kësaj force djegien e mandateve parlamentare.

Por si e ka pritur maxhoranca këtë vendim?

Partia Socialiste në maxhorancë ka mbledhur grupin parlamentar ku ka diskutuar rreth çështjes si dhe mbi porositë e kryetarit të PS, Edi Rama.

Mësohet se Rama iu ka kërkuar deputetëve socialistë të organizohen për zgjedhjet vendore, pavarësisht vendimit të opozitës.

Kreu i maxhorancës ka shprehur mosbesim se opozita do i djegë mandatet, duke e parë të pamundur konsensusin në radhët e PD. “Organizim për zgjedhjet vendore pavarësisht se çfarë bën opozita. Unë nuk besoj se opozita do gjejë konsensus për të djegur e mandatet. Ne duhet të përmirësohemi. Mes shpifjeve të kundërshtarëve të shohim çfarë nuk shkon me ne”, mësohet të ketë thënë kreu i PS.

Më herët në një intervistë për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”, kryeministri Rama theksonte se nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqje, e as ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Po këtë qëndrim ai duket se e ka mbajtur edhe para grupit parlamentar, ku mësohet se ka theksuar rëndësinë e përgatitjes për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 30 qershor, pavarësisht çdo vendimi që do të marrë PD.

Po të njëjtin qëndrim kanë mbajtur dhe deputetët e PS. Ata kanë deklaruar se parlamenti është legjitim edhe pa opozitën.

“Është një vendim që i takon opozitës! Parlamenti është legjitim edhe pa opozitën. Parlamenti është në funksion të plotë dhe legjitim”, kanë thënë për mediat deputetët e PS para nisjes së mbledhjes së grupit.

Veritas.com.al/