Në një analizë për situatën post-zgjedhore dhe atë qe prodhuan zgjedhjet e 25 qershorit, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ish ministër i drejtësisë në qeverinë “Rama 1” bën një analizë mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve të 25 qershorit.

Pyetjes së parë se “a u vodhën votat?”, ai përgjigjet:

“Hajduti më i madh i votave është vetë sistemi zgjedhor”. Sipas tij, vërtetë u shitën e u blenë votat, por “vështirë të justifikohet devijimi masiv i vullnetit të zgjedhësve”. Manjani e vë theksin të gjithë te sistemi zgjedhor, i cili sipas tij duhet të ndryshohet urgjentisht.

Ja studimi i juristit Manjani:

Sistemi zgjedhor është vetë vjedhja e zgjedhjeve.

E gjithë energjia e kritikës post-zgjedhore është përqendruar tek shit-blerja e votës.

E vërtetë është! Janë shitur e janë blerë vota si asnjëherë tjetër më parë. Por vështirë të justifikohet devijimi masiv i vullnetit të zgjedhësve.

Refuzimi masiv i demokratëve për të marrë pjesë në zgjedhje prishi në thelb balancën politike në vend. Sado që u ble vota, prapë nuk mund të quhet faktor determinant në ndryshimin e rezultatit me 10 mandate!

Çështja në thelb nuk është vetëm tek këto fenomene, të cilat kanë qenë e do jenë në realitetin zgjedhor Shqiptar. Kemi një problem shumë më serioz që lidhet me demokracinë genuine (të vërtetë).

Ky është: SISTEMI ZGJEDHOR! Ky është “hajdudi” më i madh i votave. Ky sistem i jep mandatin qeverisës edhe atij që nuk votohet nga shumica e zgjedhësve.

Ky sistem i shndërron zgjedhësit në votues. I ndan ata (zgjedhësit) në zgjedhës me vlerë të lartë dhe të ulët vote! Vota e Kuksianit vlen me pak se e Tiranasit apo Durrsakut! Kjo nuk është barazi.

Ky sistem lë pa përfaqësim të gjithë ata që kur bëhen bashkë nuk kalojnë 3%. E bën pa mëshirë këtë gjë! Pa e “çarë” kokën për cilësinë politike.

Duhet të fokusohemi tek kjo teme tashmë. Demokracia jonë ka nevojë për të gjithë. Për sa më shumë parti në parlament. Sepse vetëm kështu do nxitet dialogu.

Kryeministri duhet te djersijë për tu mandatuar në qeveri dhe duhet të jetë vetëm i djersitur për ta mbajtur qeverinë në këmbë nga dialogu i detyruar në parlament!

Pra ky sistem duhet shporrur! Duhet zëvendësuar me një sistem që ka sens, që shton dialogun dhe ul arrogancën.

Për mua sistemi Proporcional i Personalizuar në vetëm 61 zona zgjedhore dhe një korrektim më lista partish, është ideali. Siguron proporcionalitet por edhe konkurueshmëri të drejtpërdrejtë. Pra populli vendos edhe për deputetin por edhe për partinë.

Numri maksimal i deputetëve në këtë rast nuk i kalon 110.

Duket të çelet ky debat. Është thelbi i zgjedhjeve dhe demokracisë! Me këtë sistem nuk kemi demokraci të vërtetë.

E kam pasë gjithnjë dhe e kam shprehur këtë pikpamje!

Veritas.com.al/