Nënshkrimi i marrëveshjes për mbrojtjen e lumit Vjosa mes dy homologëve, është një projekt madhor në respekt të mjedisit dhe një burim ekonomie. Kështu deklaroi kreu i qeverisë Edi Rama nga Derviçani teksa u pyet nga gazetarët para firmosjes së marrëveshjes.

“Do ta bëjmë, është një projekt i madh. E kemi nisur me transformim e Vjosës në Park Kombëtar. I kemi kërkuar Greqisë të na bashkohet se Vjosa grykëderdhjen e ka në anën tjetër të kufirit për të bërë një shembull spektakolar nga pikëpamja e respektit për mjedisin dhe transformimin e një aseti të vyer mjedisor në burim ekonomie pa cenuar mjedisin”.

I pyetur për marrëveshjen e detit në Hagë, Rama u përgjigj: “Është një proces që e dikton një procedurë kushtetuese dhe ligjore që e respektojmë gërmë për gërmë”.

Ndërsa i pyetur nëse ka diskutuar me presidentin Begaj për plotfuqishmërinë dhe afatin, Rama tha: “Kjo do të ndodhë kur të depozitohet kërkesa. Kjo është një çështje në negocim”.

 “Sa i takon çështjes së pronave të minoritetit grek dhe censusit ai tha: “Nuk ka çështje pronash minoriteti, por çështje pronash tërësore dhe nuk ka asnjë dallim. Ndajmë të mirat dhe të këqijat. Do ta bëjmë edhe censusin që është një proces që duhet bërë në mënyrë periodike. Nuk ka probleme”.