Një libër nga Daglas Murray/ Il Foglio

“Në vitin 2001, Bashkimi Evropian iu afrua hartimit të një Kushtetute të vetën. Mandarinët e Brukselit kishin parë të ardhmen, që u dukej atyre transnacionale dhe teknokratike. Ose thënë më qartë, i ngjante BE-së”. Fillon kështu në revistën Commentary, recensioni i Sohrab Ahmarit për “Vdekja e çuditshme e Evropës”, libri më i fundit i opinionistit konservator anglez Douglas Murray.

“Dokumenti duhej të inauguronte shekullin e ri evropian. Por kundërshtimi i shprehur në Francë dhe në Holandë, në vitin 2005, nënkuptonte që nuk do të ndodhte kurrë. Sot, traktati kushtetues i BE kujtohet për faktin që ka provokuar një prej fjalimeve të fundit dhe më profetikë, të Papa Gjon Palit II: Kishte të bënte me preambulën e Kushtetutës.

Që nga momenti që kristianizmi kishte plazmuar “humanizmin me të cilin Evropa është me të drejtë krenare”, thoshte Papa, kushtetuta duhet t’i referohet trashëgimisë së krishterë evropiane. Thirrja e tij u vu nën akuzë për sektarizëm. Ish presidenti francez, Valery Giscard d’Estaing foli në emër të klasës politike: ‘Evropianët jetojnë në një sistem politik tërësisht laik, ku feja nuk luan një rol të rëndësishëm’.

Douglas Murray kujton këtë episod në fillim të polemikës së tij të ndezur, të kthjellët dhe thelbësore. Mishëroi marrëzinë e elitave evropiane, që preferuan të rihidhin trashëgiminë civile të kontinentit, në vend se të merrnin një pozicion për kulturën e tyre, krahasuar me të tjerat. Për Murrayn, kjo tendencë është vetëvrasëse. Ja pra, kjo e shpjegon fjalën ‘vdekje’ në titull.

Libri merret, për më tepër, me eksperimentin shkatërrimtar që u vu në zbatim nga Evropa perëndimore, duke vendosur të pranojë imigrantë myslimanë, pa e vrarë mendjen për t’i asimiluar ata. Këta imigrantë tashmë popullojnë komunitete paralele në skajet e pjesës më të madhe të qyteteve evropiane. Hedhin poshtë vlerat tradicionale dhe jo pak herë na quajnë të marrë…

Eshtë e mundur të imagjinohet një histori alternative, ku Evropa pranon po këta imigrantë nga vendet islamike, duke pësuar më pak kundërgoditje? Përgjigja e habitshme e Murrayt është: Po. Nëse Evropa do të kish ruajtur besimin e saj ekzistencial gjatë dy shekujve të fundit, gjërat do të kishin shkuar ndryshe. Në vend të kësaj, imigrimi masiv ka sjellë me vete një ‘kulturë të fuqishme fetare’ – Islamin – ‘të ndërfutur në një kulturë të dobët dhe relativiste’. Në një mënyrë apo një tjetër, Evropa duhet të rifitojë vitalitetin e saj. Po si? Murray pyet nëse përgjigja mund të gjendet tek arti”.

Ndoshta, përfundon Ahmari, “evropianët mund të gjejnë tek bukuria atë sens vetëpërmbushjeje dhe misteri, që paraardhësit e tyre gjetën tek liturgjia, ndonëse pa dogma kozmike”. Eshtë e mundur që kriza aktuale të stimulojë një rigjenerim të artit evropian. (Përgatitur: Bota.al)/

Veritas.com.al/