I propozuar nga qeveria si mënyra më e mirë për t’u ofruar shërbime bashkëkombasve që nuk jetojnë në Shqipëri, projekligji për regjistrimin e emigrantëve është kundërshtuar nga opozita, sipas së cilës pasj tij fshihet manipulimi i listave të zgjedhësve. Deputetet e Partisë Demokratike thonë se duke i regjistruar me vendbanim jashtë vendit ndryshohet edhe zona zgjedhore.

Eduard Halimi, deputet i Partisë Demokratike: “Do jenë dy adresa. Ka komplikim sepse sistemi i kodit zgjedhor përmban vetëm një adresë. Qeveria na gënjen. Me gojë thotë se nuk ka lidhje me zgjedhjet, me shkrim thotë se ka lidhje me zgjedhjet“.

Opozita kërkoi që drafti t’i kalojë për diskutim komisioinit të reformës zgjedhore, por qeveria e kundërshtoi pretendimin e deputetëve demokratë.

Simir Tahiri, Ministër i Brendshëm: “Unë nuk shoh cënim, unë shoh një të drejtë që garantohet. Ky është projketligji i parë që shtron gurin e themelit për të  shkuar deri atje. Për të shkuar tek vota e emigrantëve, fillimisht duhet të dimë, kush, sa dhe ku banojnë emigrantët tanë.” 

Qeveria pretendon se afërsisht 1.5 milionë shqiptarë jetojnë jashtë kufijve, të cilët do të marrin më shumë shërbime pas regjistrimit.