Dashuria e ngjizur me 1 prill 2013 mes Edi Ramës dhe Ilir Metës ka përfunduar. Kurora e tyre është zgjidhur para mbarimit të kontratës. Fatmir Xhafa ia tha këtë në sy Ilir Metës. “Dashuria ka mbaruar, të paktën ruaj qetësinë”, iu drejtua ai Kryetarit të Kuvendit, në Konferencën e Kryetarëve. S’do mend që Xhafa, një politikan jo i vijës së parë, nuk e kishte nga vetja këtë ton. Ai, mbrëmë në mes të natës dha një shkëndijë tjetër se LSI s’ishte më siç ka qenë. “Po merr rrugën e gabuar. Ata (LSI –PD) kanë të drejtë të mendojnë njësoj edhe nesër, edhe pasnesër”, u shpreh Xhafa. Dhe ndarja nuk është më për tendera, siç është përfolur shpeshherë në media, as për interesa të tjera të ngjashme, as për minim të zgjedhjeve për kryetarë të ndonjë bashkie periferike si në zgjedhjet e 2015 –ës në Pogradec e Lezhë. Ndarja tani është mes dy kampesh të ndryshme ku qëndrojnë PS e LSI, mes principesh që kanë të bëjnë me shtetformimin. Me reformën në drejtësi, Edi Rama e ka vendosur veten në kampin e atyre që nuk mbajnë përgjegjësi individuale, por sa herë i kërkohet të pozicionohet e drejton gishtin nga SHBA e BE, ose më mirë, nga dy përfaqësitë e tyre diplomatike, të cilat kanë humbur besimin e një pjese të mirë të shqitparëve që reshtohen pas PD –së, pse jo edhe pas LSI –së. Pakënaqësitë e Bashës dhe Metës ndaj ambasadorëve Lu e Vlahutin janë lexuar qartë, edhe pse ndër rreshta. LSI e sheh veten në një kamp tjetër, jo atë me PS –në që solli në pushtet. Ajo, sipas PS –së po reshtohet krah “sovranistëve”, atyre që nuk pranojnë që “partnerët strategjikë” të bëjnë ç’të duan me vetting-un, edhe pse dora e lirë që u lihet mund të cënojë kushtetutën dhe sovranitetin. Kjo ndarje duket përfundimtare. Edi Rama me gjasë do të përdorë këtë në fushatën e ardhshme elektorale, që duket më afër se 2017-ta. Ilir Meta e Lulzim Basha e kanë paralajmëruar këtë, duke e thënë hapur: Rama po e përdor reformën në drejtësi për llogari elektorale. 3 vjet pasi kanë qeverisur bashkë, Edi Rama e Ilir Meta s’janë më në të njëjtin front, s’kanë më të njëjtën dashuri të tre viteve më parë, s’po i qëndrojnë më fjalës së dhënë më 1 prill; ashtu siç paralajmëron një këngë që zë vend në çdo transmetim të emisionit satirik “Disco Lajme” në ABC News, “fjalët kanë ndryshu’ me kohë, s’jena mo, s’jena mo”. /Marre nga Lapsi.al/