Debati për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar duket se po nxjerr në pah një skandal, që ka të bëjë me mundësinë e humbjes apo më keq, vjedhjes së materialeve me vlerë si gardëroba, rekuizita, armë, bobinat me zërat e aktorëve të njohur etj., të cilat janë përdorur ndër vite në shfaqjet më të suksesshme të vendosura në skenën e teatrit.

Pikëpyetjen se ç’është bërë me këto material me vlerë e ngriti i pari kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili në një deklaratë zyrtare u kërkoi grupimit të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, të cilët kanë uzurpuar godinën e teatrit prej 3 vitesh, që të lejonin punonjësit e Teatrit Kombëtar të nxirrnin nga aty të gjitha materialet me vlerë, kryesisht gardërobën dhe rekuizitat, në mënyrë që ato të mos humbnin apo vidheshin.

Por, në një deklaratë të dhënë sot për gazetën “Panorama”, Edmond Budina, drejtuesi i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, që prej 3 vitesh nuk lejojnë askënd të futet në Teatër, as punonjësit e tij, është shprehur se u kanë humbur 70 armë, por as bobinat me zërin e Kadri Roshit nuk janë aty.

“Është e vërtetë. Janë 70 pushkë, maliherë, automatikë etj., që u përkasin periudhës së pushtimit otoman, gjerman e italian dhe që të gjitha janë hequr nga Teatri Kombëtar e janë çuar në Ministrinë e Brendshme. Dhe këtu duhet të ketë një hetim: Ku kanë shkuar ato armë? Ato armë, nuk i hoqi nga Teatri Kombëtar as Enver Hoxha, që e dimë fort mirë se si ishte ai sistem. Edhe Hoxha i sabotoi, por nuk i hoqi. Ato armë viheshin në dispozicion të shfaqjeve dhe ishin një vlerë e jashtëzakonshme e Teatrit Kombëtar, kështu që e përsëris, kjo ngjarje duhet hetuar!”, thotë tani Budina.

Ai “lan duart” kur thotë se përgjegjësinë për këtë nuk e ka Aleanca. “Ne kemi vetëm 7 muaj që kemi hyrë në këtë Teatër. Dhe më duhet të them, që për dy vite e 5 muaj që mbeten, përgjegjësinë nuk e kemi ne. Ne nuk kemi bërë inventar, por çdo gjë e kemi të filmuar. Dhe të gjitha ato që kanë lënë, janë aty. Kur ne kemi hyrë në godinë, kemi çuar fjalë në Teatrin Kombëtar, që të vijnë të bëjnë një inventar. Por ata nuk pranuan dhe nuk erdhën. Është e qartë se pse nuk e bënë këtë. Kishin frikë, sepse janë ata që kanë abuzuar dhe jo ne. Tani papritur kujtohen dhe thonë se ne mund të kemi abuzuar me këto, por ne kemi respekt dhe për objektin në dukje më pak të rëndësishëm në këtë godinë! Fjalë të tilla t’i matë mirë edhe ai, se edhe postin e ka të uzurpuar. Dhe, të gjitha këto, duhet t’i mbaj mend mirë!”, tha Budina.

VERITAS.COM.AL/