Koment/

Media, pa pushim, edhe kur ‘i përkrah’ i nxjerr bojën ‘kulturës’ së studentëve. Ata vërtet paskan të drejtë që po protestojnë, sepse shkolla i paska lënë pa shkollë. Tani në vend që të ‘qajnë’ studentët, duhet të verë ‘kujën’ kombi që ka këta studentë me kulturë si të pashkollë.

Kulturën e protestës e pamë që ishte një zero.

Studentët u motivuan me parullat e rinisë studentore të 28 viteve të shkuara, në dhjetorin e vitit 1990. Ata thërritën “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, edhe këta përsëritën të njëjtin slogan. Ka kaluar një gjeneratë njerëzore që atëherë, dhe këta nuk kanë asgjë të re që të thërrasin për kombin. Nuk e njeh kultura e studentëve aktualë realitetin që Shqipëria ‘gia’ është bërë si Europa: Është orientuar pa mëdyshje drejt Perëndimit, është anëtare e Këshillit të Europës, është anëtare e NATO-s dhe kandidate për në BE, shqiptari hyn e del pa vizë në gjithë vendet e Europës.

Kënga e vetme e muzikës sonë, që sjellin në protestën ‘avanguardiste’, është një këngë nga arti socialist i shekullit të kaluar me ‘atutobus’ (shik foton)

Kulturën politike u pa që e kanë të turbullt.

Këta deklaruan se nuk pranojnë politikë, por në fakt bëjnë politikë. Brenda tyre ka disa fraksione politike, studentët kanë përjashtuar disa- duke manifestuar se ka luftë grupimesh.

Kulturën e tolerancës dhe të dialogut u duk që nuk e kanë.

Qysh prej fillimit e deri në fund studentët po kërcënojnë me ‘radikalizim’. Nuk pranojnë dialog, nuk pranojnë të flasin me shtetin ku kërkojnë zgjidhje. Duket se kanë aplikuar tërësisht sjelljen e partive politike që kërkojnë pushtet ‘që tani, në këtë moment’, sidomos nga LSI që ka një vit pa pushtet.

Kulturën e ndërtimit të shtetit- zero.

A nuk ka aty studentë të Juridikut, të paktën? Duhet të ketë… të paktën këta a nuk kanë mësuar se nuk rrëzohet qeveria në rrugë, se nuk mund t’i thuash kryetarit të qeverisë e kryetarit të shtetit e Kuvendit e Gjykatës: “Dilni ju jashtë, se e dimë ne cilin sjellim”. Po të thuash këtë që po thonë, do të thotë se kanë kulturë zero për shtetin.

Po nuk dinë as të shkruajnë shqip:

Shikoni këtë pankartë që mbajnë në duar studentët protestues ( shiko foton lart). Aty shkruhet “Pedagogu jem asht Aj…”. Po as përemrin vetor ‘ai’ nuk dinë ta shkruajnë studentët?!

Të gjitha këto i ka dëshmuar media, më shumë media pro- protestës.

… Me të vërtetë paskan të drejtë të protestojnë studentët, sepse profesorët e tyre, edhe mësuesit e shkollës elementare, i paskan lënë pa shkollë.

Veritas.com.al/