Deklarata e presidentit rus Vladimir Putin se në Ukrainë luftojne mercenarë shqiptarë, ka sjellë një reagim shumë të ashpër në Tiranë. Përveç ministres së Jashtme Olta Xhaçka, ka reaguar edhe  ambasadorja amerikane Yuri Kim.

Përmes një postimi në “Twitter”, Yuri Kim tha se këto janë gënjeshtra për të ngritur dyshime dhe për të hequr vëmendjen nga e vërteta, e cila është pushtimi i Ukrainës. “Fushata ruse e dezinformimit është në mbingarkesë. Këto janë gënjeshtra të krijuara për të ngritur dyshime dhe për të hequr vëmendjen nga e vërteta, që është se Rusia ka pushtuar Ukrainën.  Rusia është e përfshirë në një sulm të paramenduar, të paprovokuar, të pajustifikueshëm ndaj një kombi tjetër sovran”, shkruan ambasadorja.

Putin pati sot një bisedë telefonike me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe sipas medieve ndërkombëtare, presidenti rus është shprehur se në Ukrainë po luftojnë mercenarë nga Shqipëria dhe Kosova. “Në Ukrainë, po shohim gjithnjë e më shumë mercenarë nga vendet e treta, përfshirë Shqipërinë dhe Kroacinë, militantë nga Kosova dhe madje edhe xhihadistë me përvojë të operacioneve ushtarake në Siri”, tha Putin në bisedën e tij me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Mbi këtë deklaratë pati një reagim edhe nga ministrja e Jashtme Olta Xhaçka. Në një deklaratë, ministrja Xhaçka shprehet se nuk ka mercenarë shqiptarë në Ukrainë, duke e cilësuar si gënjeshtër nga Moska. “Nuk ka mercenarë shqiptarë në Ukrainë! Kjo është një gënjeshtër që Moska vazhdon ta përsërisë pa turp! Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe do të vazhdojë të punojë me të gjithë aleatët dhe partnerët për të ndihmuar në përfundimin e agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj popullit të Ukrainës. Zoti i bekoftë ata”, shprehet Xhaçka.