Një operacion i Policisë i koduar “Free Time” kishte pikasur pjesën më të madhe të personave që ushtronin prostitucion si dhe vendin ku zhvillohej krimi.

Në bazë të vëzhgimeve dhe dokumentacionit të grumbulluar prej këtij operacioni është bërë e mundur të dokumentohet veprimtaria  prostituese si veprimtari “kriminale” e disa shtetasve. Gjashtë nga ata u arrestuan menjëherë nga Policia, ndërsa dy të tjerë u lanë të gjykohen në gjendje të lirë.  Kapja dhe arrestimi i tyre u krye mbrëmë rreth orës 23.00.

Tre persona që mundën t’i shpëtojnë arrestimit të menjëhershëm, janë shpallur në kërkim.

Vepra e tyre është cilësuar “kriminale” sepse personat e arrestuar dhe ata në kërkim dyshohet se në kohë dhe vende të ndryshme në qytetin e Tiranë kanë shfrytëzuar, ndërmjetësuar dhe marrë pagesa për prostitucion në vlerën që lëviz nga 50-100 euro.

Në shërbim të veprës së tyre të paligjshme dhe “kriminale” ata kishin vënë një automjet tip “Hyundai”; 4 aparate telefonik, 20000 lekë të reja, 2 doza kokainë dhe sende për përdorim narkotikësh dhe një dozë e dyshuar e llojit “Cannabis Sattiva”. Këto dhe  prova të tjera që i shërbejnë hetimit, u sekuestruan nga Policia.

Materialet ndodhen në duar të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprat penale të “Trafikimit të personave të rritur” dhe “Shfrytëzimit të prostitucionit”.

/Veritas.com.al/