Ilir Meta ka kërkuar dy gjëra në mënyrë që në orët e fundit konsensusi të arrihet në tryezën e eskpertëve të tre palëve dhe atyre ndërkombëtarë. Duke u nisur nga prishja e djeshme e konsensusit në orët e vona të natës ai ka propozuar që këtej e tutje puna dhe diskutimet e tyre të bëhen të hapura deri të enjten në ora dhjetë kur reforma do të votohet në kuvend. “Deputetët dhe njerzit kanë nevojë për transparencë për të parë si do të tejkalohen dy pikat e mbetura” propozoi ai. Ky propozim i referohej deklaratave të Bashës se Rama e prishi konsensusin pas orës 2 të natës.

Ideja e dytë që ai huazoi nga Basha, me të cilin duket se kanë filluar një idil, si ai i kohës së zgjedhjeve lokale të vitit 2011, ishte ajo e ndërprerjes së deklaratave politike. Basha më parë kishte thënë se ai mund të tregonte qëllimet e Ramës, por nuk do ta bënte këtë deri sa të vazhdonin tratativat për marëveshje. Nisur nga kjo Meta propozoi një moratorium të propogandës se kush e do më tepër reformën.

Kjo qe harta e rrugës të cilën ai propozoi për arritjen e konsensusit për reformën në drejtësi, për të cilën ai u tregua i bindur se do të votohet masivisht.