Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u largua nga drejtimi i seancës plenare për të rifilluar sërish negociatat me palët për të gjetur konsensusin për reformën në drejtësi.

Ilir Meta shkoi në zyrën e tij në Kryesinë e Kuvendit, ku thirri në takim ambasadorin e SHBA Donald Lu dhe ambasadoren e BE Romana Vlahutin, të cilët do të bisedojnë për të gjetur zgjidhje për situatën e krijuar.

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shkuar në sallën e Parlamentit, për të ndjekur nga afër seancën plenare. Basha diskutoi për disa minuta me deputetin e PD dhe negociatorin demokrat Oerd Bylykbashi për hapat që do të ndiqen dhe më pas u largua sërish, duke iu bashkuar takimit në Kryesinë e Kuvendit mes Metës-Lu-Vlahutin. Basha shoqërohet nga deputeti Oerd Bylykbashi.

Ndërkohë, nuk dihet ku ka shkuar Kryeministri Edi Rama pasi u largua nga Parlamenti gjatë kohës që Meta po mbante fjalim me tone të ashpra.