Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot Kryetarin e Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin Amerikan, Senatorin John McCain.

Kryetari i Kuvendit Meta dhe Senatori McCain biseduan mbi partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA, situatën politike në vend si dhe mbi zhvillimet e fundit në rajon.

Kryetari Meta ndau bindjen me Senatorin McCain se Shtetet e Bashkuara “duhet ta rrisin vëmendjen e tyre në Evropën Jug Lindore” dhe shprehu besimin e plotë se Shqipëria do dijë të tregojë se është një partnere serioze e SHBA në avancimin e agjendës euro-atlantike në rajon.

Gjatë diskutimit mbi zhvillimet e fundit në rajon, Kryetari i Kuvendit Meta dhe Senatori McCain ndanë bindjen e përbashkët se Shqipëria si anëtare e NATO-s dhe aleate besnike e SHBA duhet të rrisë kontributin e saj buxhetor në fushën e mbrojtjes. Sot buxheti i Shqipërisë për Mbrojtjen është vetëm 0.75 për qind, në vend që të jetë rreth 2 për qind.

/Veritas.com.al/