Kryetari i Kuvendit Ilir Meta njoftoi përmes një konference për mediat se ka miratuar rendin e ditës për seancën e së enjtes ku e vetmja cështje është drafti i reformës në drejtësi.

Duke dashur të marrë rolin e protagonistit  Ilir Meta tha se kjo seancë është tejet e rëndësishme për interesat e vendit.

Ai ftoi negociatorët të diskutojnë vetëm mbi propozimin hibrid të Viktoria Nuland, duke mos e përmendur Venecian.

Më tej ai u shpreh se është koha të vendoset moratorium për deklaratat politike dhe populiste. Të gjejmë konsensus sa më parë, brenda 1 ore, mundësisht për 30 minuta dhe t’i japim lajmin e mirë Brukselit dhe Washingtonit tha Meta.

Ai gjithashtu ftoi në seancën e së enjtes edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë të jenë të pranishëm.