Me sa duket, presidenti meta, në taktikat e tij një pas një për të krijuar kaos kushtetues, ka zgjedhur sot një taktikë të re: Të padisë penalisht kryetarin e KED, Dvorani. Ardian Dvorani është kryetar i Komisionit të Emërimeve në Drejtësi dhe ka qenë gjykatës i Gjykatës së Lartë që nuk ka pranuar ta shkarkojë Metën nga korrupsioni prej 700 mijë dollarë, akt që u shfaq hapur në një video me ministrin Prifti.

Siç duket ai ka menduar se padija ndaj Dvoranit do të marrë disa muaj kohë, dhe kështu vendi mbetet pa Gjykatë Kushtetuese dhe Meta shpëton nga gjykimi edhe kësaj here.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në një konferencë të jashtëzakonshme, ka njoftuar se do të kallëzojë penalisht kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Kallëzimi vjen pas situatës së krijuar me Gjykatën Kushtetuese.

Meta e akuzon Dvoranin për dy vepra penale: “shpërdorim i detyrës” dhe “përvetësim i titullit apo i detyrës shtetërore”.

“Ai me dashje ka shpërdoruar funksionin publik dhe ka marrë përsipër të ushtrojë një akt mafioz”, theksoi Presidenti.

Konflikti Presidencë-KED nisi në momentin kur institucioni i drejtuar nga Ardian Dvorani i dorëzoi Ilir Metës në njëjtën ditë dy listat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Presidentit, ky veprim vuri në vështirësi institucionin për të zgjedhur sipas Kushtetutës gjyqtarët e rinj.

Sipas Metës, KED nuk ka marrë asnjë vendim kolegjial për dërgimin e listave për plotësimin e vakancave njëherazi, por ky veprim është kryer personalisht nga kryetari Dvorani.

Meta theksoi se, sipas Kushtetutës, dy vakancat në Gjykatë nuk mund të plotësoheshin njëherazi, por duhej respektuar radha midis Presidencës, Kuvendit dhe Gjykatës së Lartë.

Meta akuzoi Dvoranin se ka tentuar të krijojë një gjendje antikushtetuetshmërie duke e vendosur atë përpara faktit të kryer dhe duke i imponuar një “rregull të ri”, me qëllim shkeljen e Kushtetutës.