Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, u bëri thirrje gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit në Tiranë që të denoncojnë nëse kanë patur presione për të hequr masën e pezullimit për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çakon.  Manjani u pyet nga gazetarët në lidhje me akuzat që bëri një ditë më parë kreu i PD, Lulzim Basha, ndaj kryeministrit Rama, se ka ushtruar presion ndaj gjyqtarëve.

“S’kam dijeni për presione politike, por si ministër i Drejtësisë nxis të denoncojë nëse ka presione politike. Askush nuk mund të fshihet pas alibive reciproke. Vendimi i gjykatës është vendim dhe nuk komentohet. Nëse arsyet që e kanë çuar në vendim janë ekstra atëherë duhen parë”, tha Manjani.

Ministri i Drejtësisë konfirmoi se hetimet për skandalin e përgjimeve vijojnë me intensitet dhe se ai ka dërguar letër – porosi tek autoritetet italiane për të hetuar.

“Në dijeninë time hetimet vazhdojnë dhe vazhdojnë me shumë intensitet. Unë vetë kam çuar letër-porosi për prokurorinë italianë për të thelluar hetimet. Gjyqtarët janë të pavarur në vendimet e tyre, drejtësia prokuroria dhe gjykatat i kanë borxh të sqarojnë të vërtetën. Çdo kush jashtë gjykatës që përpiqet të sqarojë gjërat që shqetësojnë opinionin publik nuk bën mirë. Nëse një ka faj ose jo dikush duhet ta japë drejtësia”, u shpreh ai.