Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka kërkuar që në këtë situatë emergjente, ushtria të dalë nga kazerma dhe t’u drejtohet parcelave të mbjella me kanabis në gjithë Shqipërinë për shkatërrimin e tyre.

“Na duhet të reagojmë edhe më fort se deri më sot. Po qe e nevojshme them se duhet të dalë edhe ushtria. Nga ky fenomen o ndahemi tani, o nuk ndahemi më. O ndahemi sa ka filluar, ose kur të ndahemi do jetë shumë vonë dhe shumë e vështirë. Nuk shkon më”, ka thënë  Manjani në një takim me punonjës të Drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë është anëtar i kabinetit “Rama”, por është pjesë e LSI- anëtare në koalicion. Kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike e konsideron një çështje të sigurisë dhe stabilitetit nacional dhe kombëtar. Me sa duket që këtej gjen iniciativën për të kërkuar pjesëmarrjen e ushtrisë (anëtare e NATO-s). Nëse NATO siguron stabilitet dhe paqe, atëherë ky është momenti të angazhohet edhe ndaj këtij krimi që, siç thotë ministri Manjani, “o ndahemi tani, o kurrë!”

Ministri i Drejtësisë ka kërkuar edhe krijimin e xhandarmërisë, në vend të policisë së sotme, e cila ka humbur besimin për ruajtjen e rendit dhe të ligjit.