Ministri i ri i Brendshëm, Dritan Demiraj e ka nisur detyrën me një agjendë të ngarkuar. Gjatë ditës së djeshme ai është takuar me shefin e SHISH, Visho Ajazi Likaj. Ndërsa, gjatë paradites së sotme Demiraj ka zhvilluar një takim në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku është pritur nga krerët e policisë.

“Garantimi i një procesi zgjedhor me standarde të larta profesionale nga ana e Policisë së Shtetit. Mospjesëmarrja dhe mos përfshirja e Policisë së Shtetit në aktivitetet e partive politike dhe fushatës zgjedhore, si një prioritet madhor. Përkushtimi i çdo strukture policore në të gjithë Shqipërinë për të zbatuar me përpikëri misionin kushtetues, ligjin për Policinë e Shtetit dhe Kodin Penal”, thuhet ne njoftimin për shtyp.

Ministri nënvizoi se cilido person me uniformë dhe pa uniformë pjesë e strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që përshihet në fushata duke shkelur parimet kushtetuese dhe ligjet që garantojnë procesin zgjedhor, do të mbajë përgjegjësi administrative dhe penale me largim nga detyra dhe ndjekje penale.

“Shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në mbështetjen e një partie politike është vepër penale dhe dënohet me burgim”, u shpreh ai.

Ministri Demiraj trajtoi edhe çështjen e kanabisit, duke theksuar ashpërsimin e luftës kundër kanabisit në çdo pjesë të territorit të Republikës së Shqipërisë. Ministri tha se duhet të vijojë intensifikimi në luftën ndaj fenomenit, sidomos në parandalimin e saj në mbjellje apo kultivim.

Ministri i Punëve të Brendshme Demiraj garantoi mbështetjen e tij edhe për modernizimin e reparteve të policisë. Ndërkohë që në agjendën e tij për ditën e sotme është edhe një takim në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

/Veritas.com.al/