Moti i keq ka rikthyer problemet në vend. Ndërsa dy persona raportohet të kenë humbur jetën në Shëngjin dhe Radhimë. Në zonën e Kunes, në Shëngjin, 49 –vjeçari Viktor Gjergji kishte dalë për të peshkuar prej orëve të para të mëngjesit. Por pasdite ai u gjet i pajetë në lagunë. Në Radhimë të Vlorës, Luan Qarri gjeti vdekjen pasi rrjedha e lumit e mori me vete.
Në Tiranë, dhjetëra rrugë janë përmbytur. Prezencë uji ka në zonën e Zogut të Zi, në Laprakë, në rrugën 5 Maji, në lagjen Ali Demi dhe në rrugën Siri Kodra.
Disa lagje janë pa energji elektrike.
Në qytetin e Vlorës është pezulluar puna në portin detar. Rruga për në Orikum kalohet me vështirësi për shkak të rrëshqitjes së dherave.
Në Fier, lumi Gjanica ka dalë sërish nga shtrati dhe ka përmbytur disa banesa. Situata është më kritike në lagjen 1 maji. Edhe në Sheq të Madh dhe Sheq të Vogël gjendaj është rënduar.
Në qarkun e Durrësit shirat e rrëmbyer të shoqëruar me erë të fortë lanë pa energji elektrike Sukthin, Thumanën, Gjirin e Lalzit, Xhafzotajn, Spitallën, Dervenën, Borizanin dhe zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Lundrimi i anijeve të peshkimit është pezulluar në port.