Mrizi i Zanave është një prej ’12 destinacionet e ëndrrave’ që duhen vizituar patjetër në vitin 2022. Këshillën për të gjithë udhëtarët e jep revista Vanity Fair” në gjuhën italiane. Në një shkrim të botuar sot jep një listë me 12 shtëpi fermash, hotele me dizajn, vila, kampingje magjepsëse dhe struktura të tjera origjinale të rrethuara nga natyra, ku mund të kalohen pushime të jashtëzakonshme dhe të shijohet ushqim i veçantë.

“Vanity Fair” shkruan se në Fishtë afër Lezhës, vetëm 2 orë nga Tirana, mund të gjeni një vend të respektueshëm për ushqimin në të gjithë Ballkanin, ndërkohë që mund të admironi edhe pamjen e mrekullueshme. Në shkrim përmendet edhe 2 vende të tjera që mund të vizitohen në zonën përreth, Kantina e verës Kallmet dhe punishtja artizanale ‘Artistike Zadrima’.

Në listë janë 2 destinacione në Itali dhe nga 1 në Francë, Irlandë, Kroaci, Spanjë, Holandë, Portugali, Greqi, Slloveni dhe Mali i Zi.

‘Vannity Fair’ është një revistë mujore kulturore, e modës dhe çështjeve aktuale botuar nga “Condé Nast” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pjesa ku flitet për Mrizin e Zanave

9 dhoma, duke përfshirë 6 në një kullë të lashtë – shtëpi tradicionale e Shqipërisë së Veriut – e rinovuar dhe e pajisur me një dritare xhami nga e cila mund të admironi pamje të mrekullueshme të vreshtave të shtëpisë së fermës: Mrizi i Zanave ndodhet në një fshat të vogël në veri të Shqipërisë, dy orë larg kryeqytetit. Falë shijeve të prodhuara këtu, mes të gjitha byrekëve të shijshëm dhe makaronave të bëra vetë, ka fituar një vend të respektueshëm në skenën gastronomike ballkanike.

Afër do të gjeni Kantina Kallmet, ku mund të shijoni një nga verërat më të njohura të Ballkanit, Kallmet, në versionin e saj të kuq, të bardhë ose të vjetruar. Gjithashtu po aty pranë është ‘Artistike Zadrima’. Një punishte artizanale ku në tezgjah prodhohen tekstile dhe orenditë e shtëpisë.