Ish-kryeprokurorja e Ina Rama, e cila gjatë viteve 2009-2011 pati kërkuar dënimin me burg Lulzim Bashës, Fatmir Mediut dhe Ilir Metës për korrupsion masiv, po përgatit dosjen për të shkarkuar përfundimisht nga drejtësia gjyqtaren e Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdarin, ish-bashkëshortja e Azem Hajdarit. Fatmira Hajdari u shkarkua nga detyra nga shkalla e parë e Vetingut në qershor të vitit 2020, pasi nuk justifikonte me para të ligjshme një pasuri me vlerë rreth 1 milionë USD, kishte kryer mashtrime dhe kontrata fiktive, si dhe nuk kishte treguar se Ambasada Amerikane e kishte futur në listën e gjyqtarëve dhe prokurorëve që u është anuluar viza amerikane, pra që nuk lejohen që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetingu i shkallës së parë e nxori Fatmira Hajdarin një gjyqtare super të korruptuar, ashtu siç në fakt perceptohej edhe nga opinioni publik, nisur nga vendimet e saj të çuditshme.

Gjatë hetimit në skenë doli edhe Ilir Meta, koka e korrupsionit në Shqipëri. Kur ishte kryeministër, Meta kishte shkuar në shtëpinë e Fatmira Hajdarit dhe i kishte bërë dhuratë një kredi të butë si e pastrehë, edhe pse Fatmira e kishte një banesë. Këtë kredi shtetërore të dhuruar nga Ilir Meta, Fatmira Hajdari e përdori mes justifikimeve të shumta për të mbuluar pasurinë e krijuar me para të dyshimta. Megjithatë, Komisioni i Vetingut e shkarkoi nga detyra me votë unanime. Fatmira Hajdari nuk e pranoi vendimin e shkarkimit. Ajo kërkoi në Kolegjin e Apelimit që të hidhte poshtë vendimin e shkallës së parë të Vetingut dhe të kthehet në drejtësi, për të marrë edhe një herë çekiçin e drejtësisë në dorë.

Çështja e Fatmira Hajdarit është regjistruar në Kolegjin e Apelimit që në 21 shtator 2020. Shtatë ditë më pas është hedhur shorti për caktimin e trupit gjykues. Nga hedhja e shortit është përzgjedhur Ina Rama relatore e çështjes. Në vijim, Fatmira Hajdari ka kërkuar që t’i bëhet Vetingu edhe për aftësitë profesionale. Gjyqtarja e shkarkuar ka pohuar se do të paraqesë prova të reja, të cilat sipas saj justifikojnë pasurinë, përfshirë dhe një pallat 10 kate në Tiranë. Aktualisht, Ina Rama, duke marrë në konsideratë edhe provat e reja të paraqitura, po përgatit relacionin për shkarkimin përfundimtar nga detyra të Fatmira Hajdarit. Vendimi për shkarkimin e saj pritet të merret pesë me zero.

Pas shkarkimit të Fatmira Hajdarit, SPAK është para një sfide të madhe, ku duhet të vendosë për të nisur ose jo procedim penal, për t’i hapur rrugë më tej sekuestrimit të pasurisë së Hajdarit, ashtu siç veproi me Adriatik Llallën dhe ish anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese. Me vetëm një pagë shteti si gjyqtare, disa kredi të dyshimta dhe kontrata mashtrimi, Fatmira Hajdari ka ngritur pallatin me 10 kate në një nga zonat më të preferuara të Tiranës, për më tepër në mënyrë të paligjshme, pra pa leje dhe në truall shtetëror, të cilin e ka grabitur me vendime gjykatash