Në Charlotte në Karolinën e Veriut kanë vijuar protestat mbi vrasjen e një afro-amerikani nga oficerët e policisë. Për shkak të përshkallëzimit të dhunës, policia vendosi një orar pas të cilit nuk lejohen më daljet. Megjithatë kjo nuk ka ndaluar protestuesit të vërshojnë në rrugë, ndërkohë që raportohet se në këto demonstrata është vrarë një person. Rastet e afro-amerikanëve të vrarë nga oficerë të policisë janë ndër temat më të ndjeshme të debatit në SHBA dhe kanë nxitur protesta masive në mbarë vendin.

Protestat në Charlotte në Karolinën Veriore vijuan në mbrëmjen e tyre të tretë, edhe pse policia kishte vendosur një orar që nuk lejon daljen pas mesnate, për të kontrolluar situatën e krijuar me protestuesit.

Demonstratat që kanë përfshirë qytetin, kanë lënë të vdekur një person, pasi oficerët e policisë qëlluan ndaj tij, në mbrëmjen e dytë të protestave. 9 persona kanë mbetur të plagosur ndërsa 44 të tjerë janë arrestuar duke detyruar guvernatorin të shpallë gjendjen e emergjencës në qytet.

Qindra persona janë mbledhur sërish në Charlotte, por këtë herë në një tubim më të qetë e pa përplasje me policinë.

Protestat u nxitën nga vrasja e Keith Scott nga një oficer i policisë, teksa këta të fundit kërkonin një tjetër të dyshuar. Afro-amerikani u qëllua për vdekje pasi policia raportoi se ai mbante në dorë një armë të cilën ai refuzoi ta lëshonte. Por familjarë të Scott thonë se ai po mbante një libër dhe jo armë, e për më tepër shtuan se ai ishte i gjymtuar.

Vrasja e Scott është një ndër rastet më të fundit të dhunës policore mbi komunitetin afro-amerikan në SHBA. Një oficere e policisë është akuzuar për vrasje pa paramendim të gradës së parë pasi qëlloi për vdekje një person me ngjyrë në Tulsa, Oklahoma, makina e të cilit kishte bllokuar rrugën për shkak të një defekti.