Një nga temat më të diskutuara të ditëve të fundit në politikën shqiptare është edhe figura e pastërtisë së Artur Meçollarit i cili është një prej 12 negociatorëve të detit me Greqinë.

Ditën e sotme është kontaktuar zyra e shtypit të selisë qendrore të NATO-s për arsyen nëse ka dhënë ndonjë certifikatë sigurie për ushtarakun shqiptar Mecollari. “Report Tv” ka pyetur zyrën e shtypit nëse “NATO Cosomos Top Secret” kishte lëshuar ndonjë certifikatë sigurie për Meçollarin.

Mark Senders, një prej zëdhënësve të NATO-s, u përgjigj se ky institucion nuk jep certifikata sigurie, pasi ato i japin vetë autoritetet e vendeve anëtare.

“Është prerogativë ekskluzive e autoriteteve kombëtare për të siguruar lëshime personale të sigurisë për qytetarët e tyre. Për këtë arsye unë do t’ju referohem autoriteteve shqiptare për ndonjë koment të mëtejshëm që ata mund të kenë për çështjen që keni ngritur”,tha zëdhënësi i NATO-s.

Sot gjatë mbledhjes së Komisionit të Sigurisë Kombëtare kreu i shërbimit inteligjent të ushtrisë, Bardhyl Nuredini saktësoi se këto certifikata sigurie “Konfidencial”, “Sekret” dhe “NATO Cosmos Top Secret” jepen nga autoriteti shqiptar DSIK (Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar), pasi verifikohen të dhënat për individin nga policia, prokuroria dhe SHISH.

Pasi ky vërtetim jepet, ai i deklarohet edhe NATO-s.

Ditët e fundit maxhoranca ka mbrojtur Mecollarin në debatet e zhvilluara duke bërë fakt të kryer që ai kishte marrë certifikatë sigurie nga NATO. Kjo është mohuar së fundmi nga selia qendrore e NATO-s.

Veritas.com.al/