Biznesmeni, Ado Campeol, i quajtur nga mediat italiane edhe si “babai i ëmbëlsirës, Tiramisu”, ka vdekur në moshën 93-vjeçare.

Campeol ishte pronar i “Le Beccherie”, një restorant në Treviso në Italinë veriore, ku ëmbëlsira e famshme u shpik nga gruaja e tij dhe një kuzhinier.

Pjata, e cila përmban biskota të njomura me kafe dhe maskarpone, u shtua në menynë e tyre në vitin 1972, por nuk u patentua kurrë nga familja. Që atëherë , ëmbëlsira Tiramisu, është bërë një element kryesor i kuzhinës italiane, i përshtatur nga shefat e kuzhinës në mbarë botën.

(Ëmbëlsira Tiramisu).

Por, ka pasur mosmarrëveshje të gjata në lidhje me origjinën e Tiramisu-s, duke përfshirë pretendimet se kjo ëmbëlsirë shërbehej si afrodiziak në një bordello në qytetin verior italian të Trevisios. Megjithatë, pranohet gjerësisht se receta është shpikur dhe zhvilluar fillimisht në restorantin Campeol.

Guvernatori i rajonit të Venetos, Luca Zaia, ishte ndër ata që bënë nderime, duke postuar në Twitter se qyteti kishte “humbur një yll tjetër në historinë e tij të ushqimit dhe verës”.

Ndryshe, restoranti “Le Beccherie” u hap nga familja e Campeol në vitin 1939 dhe Campeol mori përsipër biznesin në fund të Luftës së Dytë Botërore.

(Restoranti “Le Beccherie”).

Ndërkaq, sipas bashkë-shpikësit të ëmbëlsirës, shefi i kuzhinës Roberto Linguanotto, pjata ishte rezultat i një aksidenti gjatë përgatitjes së akullores me vanilje.

Linguanotto hodhi pak djathë maskarpone në një tas me vezë dhe sheqer, dhe pasi vuri re shijen e këndshme të përzierjes, e ftoi gruan e Campeol-it, Alban, ta provonte shijen e këndshme.

Dyshja më pas e perfeksionuan ëmbëlsirën duke shtuar sfungjerë të lagur në kafe dhe duke e spërkatur me kakao – dhe përfundimisht duke e quajtur “Tiramisù”, që përkthehet në anglisht si “Pick me up”.

Pjata u shfaq në shtyp në një numër të vitit 1981 të Venetos, në një botim lokal kushtuar ushqimit dhe verës, dhe tani është një nga ëmbëlsirat më të njohura të Italisë.

Variantet e Tiramisu-s përmbajnë alkool si rum ose marsala, por receta origjinale – e certifikuar nga Akademia Italiane e Kuzhinës në vitin 2010 – ishte pa alkool sepse synohej të ishte miqësore me fëmijët./Albanianpost.com