Fofi Gennimata, kryetare e partisë Lëvizja për Ndryshim (KINAL), është ndarë nga jeta të hënën, e goditur nga kanceri.

E ndjera po kurohej në spitalin “Evangelismos” që nga 12 tetori. Shtrimi në spital ishte arsyeja që ajo u tërhoq nga gara për kreun e partisë, në zgjedhjet që është planifikuar të mbahen në fillim të dhjetorit.

Në njoftimin për shtyp të spitalit thuhet:

“Sot, më 25.10.2021, ora 12,05 në spitalin Evangelismos u nda nga jeta kryetarja e KINAL Fofi Gennimata pas një beteje shumëvjeçare me sëmundjen dhe me gjithë përpjekjet e mjekëve. I shprehim ngushëllimet tona familjes”.

Kush ishte Fofi Gennimata

E bija e ish ministrit dhe deputetit të PASOK-ut, Georgios Gennimatas, Fofi Gennhmata u lind në 17 nëntor 1964 dhe ishte nënë e tre fëmijve.

U zgjodh për herë të parë deputete me PASOK-un në prill 2000.

Në 2001 u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror të PASOK-ut.

Në zgjedhjet e vitit 2002 dhe 2006, u zgjodh prefekte e Athinës dhe Pireut.

Postin e parë qeveritar e mori në kabinetin e Jorgos Papandreut (tetor 2009), si zëvendësministre e shëndetësisë dhe solidaritetit social.

Në 2013 u emërua ministre alternate e mbrojtjes.

Në 15 qershor 2015 u zgjodh kryetare e PASOK-ut.

Në korrik 2021 njoftoi krijimin e një formacioni të ri politik; më saktë një ridimensionim i PASOK-ut, me emrin Lëvizja për Ndryshim (KINAL). Në nëntor të po atij viti fitoi zgjedhjet për kreun e partisë, duke marrë 55,7% të votave.

Mesazhet e liderëve politikë dhe shtetërorë

Presidentja e Republikës, Ekaterini Sakellaropoulou: “I japim lamtumirën Fofi Gennimatas, me ndjenja emocioni të thellë. Një grua trime që i dha me dinjitet gjithë betejat e jetës së vet, pa e humbur kurrë buzëqeshjen e shndritshme”.

Kryriakos Mitsotakis, kryeministër: “Fofi ishte një luftëtare e jetës, duke luftuar me dinjitet vështirësitë e shëndetit dhe armikun që goditi familjen e saj. Dhe qëndroi në këmbë deri në fund, në krye të detyrës. U bë kështu një simbol kurajoje për gjithë gratë, por edhe burrat që sprovohen nga sëmundje serioze”.

Aleksis Tsipras, kryetar i opozitës: “Me trishtim të thellë u informova për vdekjen e Fofi Gennimatas. E dha betejën për jetën deri në fund me sedër dhe dinjitet. Humbja e saj e lë më të varfër jetën politike të vendit. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe shokëve”.

Dimitris Koutsoumbas, sekretar i përgjithshëm i partisë komuniste: “Shpreh trishtimin e thellë për humbjen e parakohshme të Fofi Gennimatas, të cilës i jap lamtumirën me respekt të madh për ndershmërinë, por edhe për trimërinë me të cilën  dha betejën për jetën”./TV Tribuna/