Shkon në 25 numri i shqiptarëve të riatdhesuar nga kampet e ferrit në Siri, Roj e Alhol. Këtë të diel 5 gra shqiptare dhe 14 fëmijë që jetonin prej vitesh në kampin famëkeq “Al Hol” në Siri kanë shkelur në atdhe. Kanë shkelur sot në shqipëri Brunilda Koçollari nga Tirana me 5 fëmijët e saj, Emanuela Vladi nga Dibra, nënë e 4 fëmijëve, Ruzhdije Balliu nga Librazhdi, Lavdie Kaca nga Tirana dhe 2 fëmijët e saj, si dhe Klotilda Zani nga Tirana me 3 fëmijë.

Familje shqiptare ishin nisur nga Liban me një charter të vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare, i cili zbarkoi sot në aeroportin “Nënë Tereza”. Bashkë me to ishte dhe kryeministri Edi Rama me ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi.

Një ndër operacionet më të vështira, e ka kosideruar kryeministri Edi Rama rikthimin e tyre në atdhe ndërsa theksoi se do të ketë një tjetër të tillë. Kryeministri tha se dy shqiptarë, që ndodhen në kampin Al Holi kanë refuzuar që të riatdhesohen. Gjatë një konference për mediat, ai tha se ata po mbahen peng në këtë kamp, ndërsa ndihen të kërcënuar për jetën.

Sipas Ramës, gjatë këtij operacioni është vënë në rrezik edhe jeta e personave që ndërmorën këtë proces. Kjo është përpjekja e tretë për riatdhesimin e shqiptarëve nga territoret luftarake në Siri, ndërsa së shpejti do të ketë dhe një të katërt.

Në total numri i personave të kthyer nga Siria në  vendin tonë ka shkuar në 25, të gjithë të kthyer përmes 3 operacioneve. Deri më tani, nga Siria është kthyer Alvin Berisha, Floresha Rasha me katër fëmijët e saj (më 26 tetor 2020) dhe Endri Dumani, ndërsa motra e tij, Eva ka mbetur në kamp, e cila sipas kosullit të Shqipërisë në Liban nuk dëshiron që të kthehet.

Nëse Eva do të ndryshojë mendje me shumë gjasa ajo do të jetë pjesë e operacionit të rradhës që do të zhvillohet së shpejti siç theksoi edhe kryeministri Edi Tama. Pas kthimit nga kampi i ferrit “Al Hol” Rasha me fëmijët e saj si dhe Endri Dumani u zhvendosën për rehabilitim në shtëpinë e pushimit të ushtarakëve të Ministrisë së Mbrojtjes, në Konvaleshencë të Durrësit. Sipas burimeve, ka përfunduar faza e parë e trajtimit psikologjik që kishte të bënte me largimin e panikut nga gjendja e luftës që ata kishin përjetuar.